E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria, tri akuza kundër Arben Lazes

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në dorë dosjen “Mesfushori”. Katër të dyshuarit për trafik droge, të vënë në pranga dy net më parë në Elbasan, do të hetohen nga Krimet e Rënda. Kështu i janë vështirësuar pozitat presidentit të klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, pasi akuza ka cilësuar këtë të fundit si organizator të trafikut të heroinës. Ndërkohë Laze është akuzuar dhe për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë operacionit iu gjet dhe iu sekuestrua një pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Arrestimi i katër të dyshuarve u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim”, vepër penale e parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal. Ndërsa hetimet kanë disa muaj që kanë filluar, por dy ditë më parë në kthesën e Divjakës është arrestuar Shkëlqim Hyzmo, i cili transportonte mbi 1 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Ka qenë pikërisht ndalimi i Hyzmos që i ka çelur rrugën policisë për ndalimin e tre bashkëpunëtorëve të tij.
Arrestimi
Presidenti i ekipit të futbollit "Elbasani", Arben Laze, është vënë në pranga për trafik droge. Arrestimi i Lazes, 40 vjeç, së bashku me vëllanë e tij dhe dy persona të tjerë është bërë mbrëmjen e dy netëve më parë në një lokal në Elbasan. Operacioni është bërë në rrethet Elbasan, Lushnjë dhe Fier. Ndërkohë, emrat e të arrestuarve të tjerë veç Lazes, janë Fatjon Laze, 30 vjeç, vëllai i presidentit të klubit të futbollit, Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzmo, 43 vjeç, të dy nga Fieri. Në pranga ka përfundur dhe Arben Prifti. Ndërsa urdhri për ndalimin e tyre është firmosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Operacioni
Forca të shumta policie kanë rrethuar lokalin ku ka qenë duke pirë kafe Arben Laze, presidenti i ekipit të Elbasanit, duke e vënë në pranga, rreth orës 18:30 të ditës së mërkurë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se operacioni ka nisur menjëherë pasi ishin marrë informacione për vendndodhjen e tij si dhe të personave të tjerë, të dyshuar si pjesëmarrës në trafik. Policia kishte mbajtur nën vëzhgim veprimtarinë e presidentit të futbollit "Elbasani" për disa muaj.
Hetimet
Pesë muaj më parë, policia kishte marrë informacione në lidhje me aktivitetin e Arben Lazes, vëllait të tij dhe dy të tjerëve. Por prangosja e 43-vjeçarit nga Lushnja, Shkëlqim Hyzmo, duket se ka qenë dhe sinjali i pare i nisjes së arrestimeve. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se të arrestuarit nuk kanë bërë rezistencë gjatë aksionit. Pas arrestimit, Laze, së bashku me vëllanë e tij, janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Elbasan, ku u është komunikuar akuza. Arben Laze prej afro tetë vjetësh ka sponsorizuar ekipin e futbollit të Elbasanit.

Të arrestuarit
Shkëlqim Hyzmo, lindur më 05.11.1965 në Lushnjë, me punë shofer.
Arben Prifti, lindur më 19.02.1968, në Fier.
Arben Laze, lindur më 13.06.1968 në Elbasan, aktualisht presidenti i Futboll Klub Sportiv Elbasan.
Fatjon Laze, lindur më 11.08.1978 në Shkodër dhe banues në Elbasan.

Sekuestrohen
Sasia prej 1043 gramë lëndë e dyshuar me përmbajtje narkotike, tip heroinë.
Një pistoletë
Trembëdhjetë aparate telefonike celulare.
Katër autovetura, tre tip “Benz Merdeces” dhe një tip “Volsvagen Polo”.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›