E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli uron besimtarët e krishterë nga Shkodra

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uron Krishtlindjet nga qyteti i Shkodrës. Urimet për besimtarët e krishterë, Kryetarja e Kuvendit i përcolli në selinë e Arqipeshkëvisë, ku u prit nga Arqipeshkvi Anxhelo Massafra dhe Monsinjor Zef Simoni, një nga priftërinjtë më të njohur të klerit katolik, simbol i qëndresës dhe i një kalvari të gjatë persekutimi të diktaturës. Gjatë bisedës me ta, Topalli falënderoi dhe vlerësoi misionin e tyre human në përcjelljen e vlerave më të mira të civilizimit dhe kulturës kombëtare për të gjithë shqiptarët, veçanërisht brezat e rinj. Në takimin me arqipeshkvët e Shkodrës, ku ishin të pranishëm dhe klerikë të komunitetit mysliman e ortodoks, Kryetarja e Kuvendit çmoi lart parardhësit e kishës katolike si përçuesit e dijes dhe mençurisë që u persekutuan mizorisht për aspiratat e tyre për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Nga ana e tyre, klerikët e Arqipeshkëvisë shprehën, ndër të tjera, kënaqësinë që Shkodra, por dhe qytetet e tjera të vendit po i kalojnë Krishtlindjet në një atmosferë ndryshimi që reflekton mirëqenie e shpresë për të ardhmen. Pas kësaj vizite, Kryetarja e Kuvendit përcolli për opinionin, urimin për Krishtlindjet. “Gëzuar Krishtlindjet të gjithë juve, që jeni sot këtu, besimtarëve katolikë, myslimanë, gjithë qytetarëve të Shkodrës e mbarë Shqipërisë. Qoftë kjo një ditë e një shprese më të madhe, një ditë e ndryshimeve edhe më pozitive. Këto Krishtlindje e kanë gjetur Shkodrën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, në vitin e tyre më të bukur. Është viti kur Kosova feston Krishtlindjet e pavarur, Shqipëria mori ftesën për në NATO, Shqipëria që ecën përpara me ratifikimin e MSA me ratifikimin e Protokollit në NATO, Shqipëria që ecën përpara me një rritje ekonomike prej 10 %.
Ky vend feston sot Krishtlindjet me më shumë shpresë, se një vit më parë apo aq më tepër se disa vite më parë”, - tha ajo.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›