E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama “Uroj më shumë shpresë për të varfrit e të papunët”

Autori i Lajmit: red.
Mesazhe urimi për besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjeve kanë ardhur dje dhe nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Mesnata e ka gjetur liderin e opozitës në Kishën Katolike të qytetit verior të Shkodrës, të shoqëruar nga i biri i tij, nga ku ka përcjellë urimet për të gjithë besimtarët katolikë në vend. Ndërkohë, në mesditën e 25 dhjetorit, Edi Rama ka pasur në krahë sekretarin Organizativ, Blendi Klosi, për të qenë të pranishëm në Kishën Ortodokse në kryeqytet, ku janë pritur nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi. Pas pritjes së ngrohtë dhe urimeve të rastit, Kryetari i PS-së ka uruar të gjithë shqiptarët për më shumë shpresë dhe mundësi të reja. Rama ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të sëmurët, ndërsa ka uruar që të ketë më shumë shpresë për të varfrit dhe të papunët në vend, sidomos për shqiptarët, pasi vendi ynë po jeton ditë të vështira. “Dua t ju uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë të pamundur. Dua t ju uroj shpresë dhe mundësi të gjithë atyre që janë të varfër e të papunë, në një Shqipëri që jeton ditë të vështira dhe ku kemi nevojë të gjithë për një besim të ri, në mënyrë që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e të rinjve, dëshirat e prindërve, lutjet e të moshuarve. Gëzuar të gjithëve dhe sa më shumë fat”, - deklaroi kreu i PS-së.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›