E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çekia largoi nga puna gjyqtarët dhe prokurorët me dosje”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ashtu si në Shqipëri, edhe në Çeki, ligji për lustracionin, për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë ka kaluar me debate dhe përplasje të shumta. Diplomati çek në Tiranë, Adam Pinjos, shpjegon se si ky ligj ka hyrë në fuqi 15 vjet më parë, pas përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës. Pinjos ndalet, gjithashtu, në kategoritë e personave që iu nënshtruan procesit të lustracionit. Kategorinë më të madhe e bëjnë punonjësit e shërbimit publik dhe administratës publike, përfshirë këtu gjykatësit dhe prokurorët. Vendimi për ta sikurse për punonjësit e administratës kur identifikoheshin me rekorde jo të pastra ishte largimi nga puna. Pikërisht përfshirja në subjektin e ligjit e prokurorëve dhe gjykatësve, është sot pika e nxehtë e debatit në Shqipëri në një kohë kur ligji shqiptar i lustracionit është adaptim i ligjit çek për këtë çështje. Opozita ka kundërshtuar ashpër agumentet e mazhorancës, sipas së cilës, ligji shqiptar është model i ligjit çek. Sipas opozitës, ligji çek nuk dënon gjyqtarët dhe prokurorët. Por pikërisht këto argumente hidhen poshtë nga Pinjos.
Deklarata
Diplomati çek shpjegon se si është miratuar ligji për lustracionin në Republikën Çeke. Sipas tij, ligji i lustracionit u adoptua në vitin 1991, atëherë kur vendi nuk quhej ende Republika Çeke, por Federata e Çekosllovakisë. U adoptua më pak se dy vjet nga rënia e regjimit, pas një diskutimi të madh dhe të dhimbshëm politik dhe kundërshtie opozitare. “Mazhoranca ishte pro në atë kohë dhe e majta kundër. Në tetor të vitit 1991, u adoptua ligji dhe më 1 janar të vitit 1993, kur Federata u nda, ligji hyri në fuqi në Republikën Çeke të sapokrijuar dhe vepron ende”, - shpjegon ai. Sipas Pinjos, qëllimi i këtij ligji ishte të pengonte ata njerëz që kishin pozicione të caktuara gjatë regjimit komunist që të kishin pozicione drejtuese në sistemin demokratik. “Do të bëhej e pamundur për ata që kishin bërë shantazh të kishin pozicione në mjedisin e ri politik. Gjithashtu, ka dhe një anë etike të ligjit të lustracionit”, - pohon ai. Pinjos tregon më tej se kategoritë që përshiheshin në ligjin e lustracionit ishin të gjithë punonjësit e administratës publike, shërbimi publik, ushtria, policia, shërbimet e inteligjencës, media shtetërore si televizioni dhe radioja çekosllovake dhe ndërmarrjet shtetërore apo kompanitë ku shteti ishte aksioner kryesor. Ndryshe nga sa pohon opozita shqiptare, Pinjos thotë se gjykatësit dhe prokurorët kanë qenë pjesë e këtij ligji. Lidhur me fatin e tyre, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Çeke pohon se ishte i njëjtë me fatin e shumë punonjësve të sektorit publik, për të cilët rezultuan certifikata pozitive. “Dua të jem i qartë. Nuk kam një shifër. Ligji thotë se kush verifikohet me rekorde jo të pastra, ose siç njihet ndryshe në certifikatë lustracioni pozitive, u larguan nga puna. Me gjykatësit pati një situatë pak ndryshe, pasi kishin garanci kushtetuese, por gjithsesi rezultati pas kësaj ishte i njëjtë dhe për këta”, - pohon ai. Pinjos shpjegon gjithashtu se nuk u mor asnjë masë për ata persona që kishin një pozicion të papërfillshëm, edhe pse rezultuan me rekorde jo të pastra. Në vazhdim të shpjegimeve të tij, ai pohon se në Çeki numri i atyre që rezultuan me certifikata jo të pastra ishte shumë i madh. “Kam një shifër të numrit të certifikatave të lëshuara që për mua është shumë e madhe, 420 mijë certifikata lustracioni, por nuk mund të them se sa prej tyre ishin negative dhe sa rezultuan me rekorde jo të pastra, pra pozitive. Por do të doja të theksoja se ligji i lustracionit nuk përbën më një çështje të nxehtë. Tani është pjesë e historisë”, - tha ai.
S. T
Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›