Promovohet abetarja Shqipëri- Kosovë. Berisha paralajmëron fqinjët: Gaboheni nëse bëni akte shqiptarofobie
Në një qendër sportive në Prizren është promovuar abetarja e përbashkët Shqipëri- Kosovë, ku të pranishëm ishin kryeministri Sali Berisha, presidentja kosovare, Atifete Jahjaga dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi.
Salla e mbushur me fëmijë të klasave të para ka oshëtirë gjatë gjithë kohës, ndërsa liderët e dy vendeve mbanin fjalime me tone nacionaliste.
Sot është një arritje historike. Ne po prezantojmë abetaren e përbashkët të kombit tonë. Jo rastësisht jemi mbledhur në Prizren ku çdo shqiptar do të donte të ishte. Por çdo shqiptar sot është me zemër në Prizren ku po promovojmë abetaren e përbashkët. Jemi mbledhur në qytetin historik, dhe qytetin mes kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës, ka theksuar Thaçi.
Sot në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë po promovohet abetarja e përbashkët. Kjo është fitore e kombit shqiptar, është fitore e shteteve tona. Abetarja e përbashkët është shprehje e shkallës së lirisë dhe demokracisë. Kjo abetare është shprehje e ndërgjegjes dhe emancipimit të kombit tonë. Është abetare e lirisë, është abetare e Kosovës dhe Shqipërisë europiane, vijoi Thaçi.
Në fund, mesazhi i kryeministrit ishte: Shqiptarët do kenë abetaren e përbashkët, një flamur, gjuhë e kulturë unike.
Lajmërimi se fjalën do e marrë kryeministri Sali Berisha është pritur me ovacione të gjata.
Abetarja vjen në këtë qytet si një bukuri e rrallë e shqiptarëve që ka rendur në shekuj. Një falënderim për ministrat për vendosmërinë për realizimin e abetares së parë, këtij libri të të gjitha librave. Ju falënderoj që zgjodhët kryeqytetin shpirtëror, kryeqytetin e idealit kombëtar për promovimin e abetares, tha Berisha.
Më pas ai iu drejtua fëmijëve.
Të dashur fëmijë, libri që ju merrni sot është abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare, por ajo së bashku me germat dhe figurat e mrekullueshme, ajo mbart ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave shqiptare, të cilët donin të kishim një abetare të përbashkët. Ajo mbart sakrificat e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut deri në luftërat në Kosovë e Maqedoni. Ajo bart idealin e lirisë së shqiptarëve, idealin e bashkimit të tyre si idealin e përjetësisë kombëtare. Abetarja juaj shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin dhe kultivimin e kulturës së tyre, tha Berisha.
Kryeministri e quajti atë një abetare gjaku. Të dashur fëmijë, nuk duhet të harroni kurrë se kjo abetare ka me qindra jetë të flijuara.
Kombi shqiptar në historinë e tij nuk ka qenë më i bashkuar dhe më i sigurt. Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur. U bëj thirrje nënave të mrekullueshme shqiptare kudo që janë, nga Alaska në Afrikën e Jugut të mos harrojnë abetaren shqipe pranë fëmijëve të tyre.
Në fund Berisha lëshoi edhe një mesazh për fqinjët e shqiptarëve. Nga Prizreni u them fqinjëve tanë, çlirohuni nga shqiptarofobia. Gaboheni rëndë nëse vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë me akte si ato të Preshevës që faktojnë se jeni akoma në stade primitive.