Pronarët e karburanteve bllokojnë Tatim-Taksat
Rreth 100 pronarë të karburanteve në Qarkun e Beratit kanë protestuar dje para godinës së Tatim-Taksave, pas një mase ndëshkimore nga ana e kësaj drejtorie. Pronarët e këtyre karburanteve të ardhur nga bashkitë e Kuçovës, Urës Vajgurore, Poliçanit si dhe Beratit, përfshi dhe komunat, kanë vendosur ta kërkojnë të drejtën e tyre në formën e një proteste. Kryetari i shoqatës, Kristo Proko, i cili ka folur në emër të shoqatës së karburanteve, është shprehur se ka qenë një gjobë prej 100 mijë lekësh, e cila i është vendosur pa të drejtë për mosvendosjen në punë të kasave fiskale. "Ne nuk jemi kundër vendosjes së kasave fiskale dhe nuk kemi kundërshtuar vendimet e mara nga Ministria e Financave për vendosjen e tyre. Por, jemi kundër vendosjes së gjobave. Që prej muajit janar, të gjithë pronarët e shërbimit të karburanteve në qarkun tonë kanë paguar pranë bankave lekët e duhura për vendosjen e kasave fiskale. Ne disponojmë dokumentacionin përkatës që u kemi paguar firmave sipërmarrëse që kanë marrë përsipër vendosjen e kasave fiskale për vendosjen e tyre”, tha Proko. Sipas tij, ndonëse kanë kaluar tre muaj pas pagesës, firmat e kasave nuk i kanë instaluar pajisjet. Kreu i shoqatës paralajmëron se Tatimet do të vazhdojnë gjobitjen e këtij biznesi me një gjobë tjetër prej 500 mijë lekësh të reja dhe më pas deri në sekuestrimin e pajisjeve të këtij aktiviteti. Drejtuesit e Shoqatës së Karburanteve u shprehën se do ta përshkallëzojnë protestën e nisur dje deri në paralizimin e këtij shërbimi, nëse qeveria nga ana e saj nuk heq gjobat e vëna. Burime të brendshme pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave bëjnë me dije se ky është një problem që drejtuesit e karburanteve duhet ta zgjidhin me firmat sipërmarrëse që kanë marrë përsipër të vendosin kasat fiskale.
#