E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Withers takim në Presidencë, diskutohet situata politike

TIRANE- Kur situata politike është ende e bllokuar në vend Ambasadori Amerikan në Tiranë, Withers është takuar sot me Presidentin e Republikës Bamir Topi.
Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua rreth situatës politike në vend, konsolidimit të institucioneve të pavarura, forcimit të shtetit të së drejtës, rreth gjendjes së mediave në Shqipëri në përgjithësi si dhe problemeve të shfaqura kohët e fundit me lirinë e shtypit dhe të fjalës.

Presidenti Topi i shprehu Ambasadorit Withers mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mike dhe aleate do të zhvillohen edhe më tej.
Ambasadori Withers, theksoi interesin e qeverisë amerikane për situatën dhe zhvillimet politike, ekonomike dhe të demokracisë në Shqipëri.

Takimi i tyre vjen vetëm një ditë pasi ambasadorët e 8 vendeve europiane i kërkuan politikës shqiptare që të zgjidhë brenda saj problemet që prej muajsh kanë bllokuar aktivitetin normal të institucineve në Shqipëri. Ambasadorët deklaruan se zgjidhja duhet të vijë nga vetë pozita dhe opozita dhe jo nga ndërhyrja nderkombëtare.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›