E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e emigrantit, dyshohet për larje hesapesh



Një emigrant shqiptar është qëlluar disa herë për vdekje dje në lagjen “Kipseli” në Athinë, dyshohet për larje hesapesh mes bandave rivale. Kjo është pista kryesore për hetuesit grekë, ndërkohë që një pistë tjetër mund të jetë ajo për “nder”. Emigranti 35-vjeçar nga Shqipëria, emri i të cilëve nuk bëhet i ditur nga policia greke, u qëllua pesë herë me pistoletë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Dëshmitarët kishin parë dy njerëz që po debatonin ashpër brenda në makinën e viktimës, ndërkohë që më pas, ata kanë parë drejtuesin e mjetit që po përpiqej të largohej, ndërsa është qëlluar me pistoletë nga pasagjeri me të cilin po debatonte. 35-vjeçari ka gjetur vdekjen, ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar edhe policia. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të krimit, i cili, sipas policisë, është shqiptar.

Ngjarja

Rreth orës 09:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, sipas policisë së kryeqytetit helen, autori i krimit dhe viktima ndodheshin brenda në makinën e këtij të fundit duke diskutuar. Ata ndodheshin në një nga rrugët në lagjen “Kipseli” të kryeqytetit grek. Dëshmitarët kanë parë se diskutimi midis tyre është acaruar dhe pasagjeri në automjet ka nxjerrë një pistoletë që e mbante me vete. “U dëgjua një e shtënë dhe më pas, 35-vjeçari ka dalë nga makina për t’u larguar”, - u shpreh një dëshmitar. Por, ai nuk ia ka arritur të largohet nga autori i krimit, pasi ky i fundit e ka qëlluar sërish atë me pistoletë. “Ai e ndoqi pas dhe e qëlloi edhe katër herë të tjera me pistoletë. Viktima u rrëzua në tokë i mbuluar nga gjaku”, - vazhdoi dëshmitari. Ndërkohë që autori i krimit u largua me shpejtësi për t’iu shmangur arrestimit. Ndaj 35-vjeçarit u dha ndihma e parë, duke e nisur atë në spital, por ai nuk arriti që të mbijetonte si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me pistoletë, si dhe nga humbja e gjakut.

Policia

Pas marrjes së informacionit se në një prej lagjeve të kryeqytetit grek ka pasur të shtëna, policia greke ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Ata kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, u morën deklaratat e para nga ana e dëshmitarëve, ndërkohë që policët grekë u organizuan në aksion, me synim kapjen e autorit të vrasjes. Ekspertët gjetën një gëzhojë pistolete brenda në makinë, si dhe katër të tjera jashtë saj. Viktima kishte marrë plagë në bark dhe shpinë, të cilat i shkaktuan më pas edhe vdekjen. Sipas policisë greke, edhe autori i krimit është emigrant nga Shqipëria, ashtu si dhe viktima. Disa janë pistat e hetimit mbi të cilat policia po punon. Njëra prej tyre është larja e hesapeve midis bandave shqiptare që veprojnë në kryeqytetin grek, por që nuk përjashtohet as pista e dytë, ajo e vrasjes për nder, ose për ndonjë konflikt tjetër të mundshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›