KLD; Mbyllet projekti i binjakëzimit, vlerësohet nga Presidenti Topi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka mbyllur dje projektin e binjakëzimit, "Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij", midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Magjistraturës së Italisë, në partneritet me Këshillin e Përgjithshëm të Pushtetit Gjyqësor të Spanjës dhe financuar nga BE-ja. Dje u organizua ceremonia e mbylljes së projektit, e cila u zhvillua në prezencën e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kreu i KLD-së u shpreh se që në fillim e ka konsideruar një projekt shumë të rëndësishëm, mjaft të gjetur, të spikatur, për të marrë dhe shkëmbyer eksperienca me këto dy institucioneve homologe. Sipas tij, përvoja e vendeve dhe sistemeve gjyqësore italiane dhe spanjolle për krijimin, forcimin dhe garantimin e një sistemi drejtësie funksionale, të pavarur dhe profesional, është një model frymëzues për t’u ndjekur. “Vlerësoj se projekti i binjakëzimit është zhvilluar në momentin e duhur, përvoja dhe standardet evropiane duhet ta gjejnë tani plotësisht vendin e tyre në diskutimet tona për reformat”, - u shpreh Presidenti Topi, duke përfunduar se “forcimi i një pushteti gjyqësor të pavarur është një sfidë e përbashkët e tre pushteteve, e faktorëve dhe aktorëve politikë dhe profesionalë, është një sfidë e të gjithëve.