E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet me 10 për qind ndihma ekonomike

Ashtu siç ishte paralajmëruar, fondi i ndihmës ekonomike është rritur me 150 milionë lekë të reja ose 10 për qind, pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave. Ky vendim ka parashikuar rritjen me 10 për qind të fondit total të ndihmës ekonomike, çka do të thotë rritje për të gjitha ndihmat e vogla ekonomike, pasi do të jenë bashkitë dhe komunat ato që do të vendosin mbi mënyrën e shpërndarjes së fondit.

“Kjo rritje mbulon jo vetëm inflacionin, por krijon mundësi edhe për një përmirësim të mëtejshëm të nivelit të pagesës për këtë kategori shoqërore. Me këtë rritje, çdo familje do të marrë 10% më shumë ndihmë ekonomike në muaj, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, – deklaroi Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

“Gjatë vitit 2008, fondet për ndihmën ekonomike të miratuara nga buxheti i shtetit ishin 3.3 miliardë lekë nga 2.6 miliardë për vitin 2007. Kjo ishte një rritje e ndjeshme e ndodhur në këto tetë vitet e fundit. Me rritjen e këtyre fondeve, për herë të parë krijohet mundësia për të mbështetur më mirë nevojat e familjeve të varfra që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike”, – deklaroi Ministria e Punës.

Por, kjo rritje nuk do të thotë medoemos rritje e ndihmës ekonomike. Kjo, pasi ende fondi nuk plotëson të gjitha kërkesat e bashkive dhe komunave. Kështu, pritet që ndarja e fondit të jetë e ndryshme në njësitë e pushtetit vendor.

Në vendim parashikohet që familjet e varfra të mbrohen nga rritja e çmimeve të ndodhur këtë vit. Në relacionin e këtij vendimi shkruhet se “në kuadrin e masave të rëndësishme që ka marrë qeveria për indeksimin e pagave, pensioneve, si dhe për disa paketa suplementare (të miratuar tri javë më parë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, për rritjen e përfitimeve për personat me aftësi të kufizuar), ministri i Punës propozoi mbështetjen e familjeve të varfra me një shtesë në fondin e ndihmës ekonomike me 150 milion lekë”.

Nga llogaritjet, rezulton se me këtë shtesë, masa e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë do të rritet me rreth 10%.

“Kjo rritje mbulon jo vetëm inflacionin, por krijon mundësi edhe për një përmirësim të mëtejshëm të nivelit të pagesës për këtë kategori sociale. Me këtë rritje, çdo familje do të marrë 10% më shumë ndihmë ekonomike në muaj, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, – deklaroi ministria.

Ministria e Punës ka premtuar se deri në vitin 2012 ndihma ekonomike do të dyfishohet, pasi kjo do të arrihej nëpërmjet heqjes nga skema të të gjithë personave që përfitojnë abuzivisht, si edhe nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të fondit, që në dy vitet e fundit është shtuar me 20 për qind.

E një pjesë e zvogëlimit të përfituesve është arritur. Vetëm gjatë inspektimeve të ushtruara për tremujorin e parë të vitit 2008 janë konstatuar raste të moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 3167 familje me një efekt financiar 8.102.000 lekë dhe moszbatim të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 740 raste me një efekt financiar 6.410.000 lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›