Pse punon kot Fierza?Nga Lorenc Vangjeli, “Mapo”Inxhinier Thoma G. Meksi, profesor me titull shkencor, laureat i Çmimit të Republikës për probleme të energjisë, shpjegon ankthin e shifrave: “Prodhimi në hidrocentralet e Fierzës dhe Vaut të Dejës shko
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pse punon kot Fierza?Nga Lorenc Vangjeli, “Mapo”Inxhinier Thoma G. Meksi, profesor me titull shkencor, laureat i Çmimit të Republikës për probleme të energjisë, shpjegon ankthin e shifrave: “Prodhimi në hidrocentralet e Fierzës dhe Vaut të Dejës shkon vetëm për të mbuluar humbjet e energjisë në sistem”. Në intervistën e tij për revistën “Mapo” profesor Meksi shpjegon se në këtë pikë shënojmë një rekord së paku evropian, kemi vendin e parë për sasinë e humbjeve. Një analizë se pse çmimi i energjisë është rritur në mënyrë artificiale në kurriz të konsumatorit
“Në verë vuajmë thatësirën, në dimër na mbyt uji”. Jeta e shoqërisë shqiptare, të paktën prej 20 vjetësh, i është kthyer mbijetesës brenda kufijve të këtij segmenti të trishtuar. Shqiptarët ndoshta janë i vetmi popull në botë, që dinë me saktësi nivelin e ujit në kaskadën e Drinit, sepse në këtë mënyrë ata dinë, nëse do të kenë drita në dimër e tashmë në këtë fillimviti mund të mësojnë se edhe sa kohë iu duhet të qëndrojnë nën ujë shkodranët e lezhjanët. Për një “përkitje” fatale të rrethanave, që nga një janari, ditë kur dhe nisën përmbytjet e rënda dhe u krijua situata dramatike në veri, shqiptarët kanë nisur të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike. Privatizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe respektimi i kontratës është vetëm një element i saj. Por në një vend ku flitet për sigurimin e energjisë atomike - një fabul gazmore e kryeministrit Berisha - ka vend të mendohet dhe për diçka tjetër, shumë më praktike, shumë më racionale, shumë më e mundshme dhe e nevojshme. Inxhinier Thoma G. Meksi, me titull Profesor dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i KESH, ri-hedh në publik një alarm të jashtëzakonshëm. “Dakord burimet e reja të energjisë, por më së pari duhet të racionalizohen burimet e vjetra. Vetëm humbjet e energjisë elektrike nga prodhuesi te konsumatori janë të barabarta me prodhimin vjetor të Fierzës dhe Vaut të Dejës”, - thotë profesor Meksi. Që do të thotë se këta dy hidrocentrale punojnë vetëm për të mbuluar humbjet në sistem dhe vjedhësit e energjisë, që e konsumojnë atë dhe nuk e paguajnë. Profesor Meksi flet dhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shprehet se shqiptarët do të detyrohen ta paguajnë më shtrenjtë atë, por jo për faj të tyre. Ai shpreh pakënaqësinë e tij për këtë vendim dhe argumenton dhe arsyet se pse. Në thelb, intervista e tij për revistën “Mapo” ka trishtim, qoftë dhe për faktin se për shqiptarët kryesisht ka vendosur në rastin më të mirë paaftësia, kryesisht e politikës!
Profesor Meksi, tashmë rritja e çmimit të energjisë elektrike është fakt, a ishte ky një vendim i pashmangshëm?
Nuk kam mëdyshje në këtë pikë. Nuk jam dakord me rritjen e çmimit, vetëm sepse, siç është thënë publikisht, kompania private nuk ka fitimet e pritshme. I shtruar kështu problemi është absurd dhe i palogjikshëm. Së pari, energjia elektrike në vendin tonë është pasuri publike dhe që nëpërmjet Kuvendit ia kemi dhënë për mirëmenaxhim KESH. Kjo nënkupton sigurimin e energjisë me çmim sa më të lirë, me karakteristika teknike sa më të mira dhe me koston më të ulët të mundshme nga importi. Së dyti, ulja e nivelit të humbjeve në të gjitha shkallët, prodhim, transmetim, shpërndarje, është detyrë themelore e KESH, OST dhe OSSH dhe është një nga treguesit e menaxhimit të suksesshëm apo jo të sistemit. Së treti, çmimi i energjisë përcaktohet nga disa faktorë, ku humbjet nuk ndikojnë deri në masën që të kushtëzojnë një rritje çmimi deri në 44%.
Si mund të shpjegohet thjesht se çfarë janë humbjet e energjisë?
Këto humbje janë një fenomen i pashmangshëm i prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë. Nga këto, humbjet më të mëdha janë në shpërndarje. Është e vështirë që të shpjegohen thjesht, siç kërkoni ju, sepse është një gjuhë teknike dhe problem teknik, por mund t´ju them se humbjet më të mëdha janë në procesin e shpërndarjes së energjisë. Ajo që është një kambanë alarmi në gjithë këtë histori, është se në Shqipëri humbjet shkojnë deri në nivelin e rreth 45% të të gjithë energjisë që prodhohet, të ndara sipas zërave, shpërndarje, 35%, transmetim, 5% dhe po 5% në prodhim. Në Evropë, mesatarja e humbjeve luhatet në kufijtë 12 deri në 15%, por në asnjë rast më shumë se 25%.
E përkthyer në shifra të tjera, për ta pasur më qartë: në Shqipëri prodhohen çdo vit 5.500 milionë kwh energji dhe blejmë edhe 2 000 milionë kwh në tregun evropian. Nga këto, 2.500 milionë kwh humbasin në rrjet. Për të kuptuar se çfarë përfaqëson kjo shifër, po ju them se është e barabartë me prodhimin e hidrocentralit të Fierzës dhe Vaut të Dejës.
Që do të thotë…?
Që do të thotë se këta dy hidrocentrale punojnë vetëm për të “paguar” humbjet në rrjet. Që do të thotë se e gjithë energjia që blejmë, rreth 180 milionë euro në vit, është një sasi parash, që në rreth dy të tretat e saj, shkon kot.
Çfarë mund të bëhet për këtë situatë që të kujton lehtësinë e padurueshme të dorës së shpuar të shtetit shqiptar për miellin dhe shtrëngesën për krundet?
Detyra e KESH dhe tani, edhe e kompanisë private që ka marrë shpërndarjen (pas një procesi kontraktimi jo shumë transparent e të rregullt, siç po rezulton), është të ulë në maksimum humbjet, sepse, siç është e kuptueshme, ato ndikojnë direkt në rritjen e kostos së energjisë. Me përgjegjësi ju them se është punuar pak apo më mirë aspak në drejtim të uljes së humbjeve në prodhim dhe po kështu dhe për humbjet në transmetim. Kurse humbjet në shpërndarje, që shkaktohen nga humbjet në konsumatorë, nga zgjedhja dhe vendosja pa kriter e transformatorëve e shumë shkaqe të tjera, deri më tani kanë pasur gjithashtu pak ose aspak vëmendje. Rritja e çmimit të energjisë për të mbuluar këto humbje është rruga më e shkurtër, më e lehtë për të maksimalizuar fitimet dhe për t´i marrë ato nga xhepat e qytetarëve të thjeshtë. Po vazhdoj të njëjtin argument. Pjesa më e diskutueshme e problemit janë ato që quhen humbje jo-teknike. Padrejtësisht thuhet se ato shkaktohen vetëm nga vjedhjet e energjisë e si rrjedhojë, kjo i faturohet qytetarit. Humbjet jo-teknike, duke iu referuar dhe raportit të fundit të ERE-s për energjinë, vijnë dhe nga shumë faktorë të tjerë, vijnë nga lidhjet e paligjshme, humbjet nga energjia e pamatur, sepse mungojnë sahatet matës, (në këto raste një pjesë faturohet aforfe, një pjesë nuk faturohet fare). Po bëhen plot 20 vjet që çdo vit instalohen sahate matës te konsumatori dhe thuhet ende se ka të tillë pa to. Është absurde që në rreth 800 mijë konsumatorë, sa janë gjithsej, ky problem nuk është zgjidhur në mënyrë shteruese. Shtojmë këtu dhe humbjet nga mosfunksionimi i rregullt i sahateve dhe defektet e tyre teknike dhe kuptohet thjesht, siç e kërkoni ju, se çfarë ndodh realisht.
Ju thoni se nuk ka vëmendje në këtë “detaj”?
Saktësisht këtë po ju them. Që është punuar dobët dhe shumë dobët dje dhe sot. Në kontratën me ĈEZ thuhej se detyra e kompanisë private ishte të ulte deri në vitin 2014 humbjet deri në 15%. Por duke gjykuar nga ritmet e punës në këtë vit të parë të zbatimit të kontratës, nuk jam optimist në arritjen e këtij synimi të drejtë. Kjo histori lidhet pastaj direkt me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sepse, e parë ndryshe, problemi do të shtrohej: Po kur të ulen humbjet në 2014, çmimi i rritur sot me këtë argument sa do të jetë? Do të ulet? Do të rritet? Me çfarë logjike do të funksionojë atëherë analiza ekonomike që përfundon në xhepin e çdo familjeje shqiptare dhe të gjithë ekonomisë së vendit në përgjithësi?
Ka ndonjë ide për koston e energjisë? Mendimet e specialistëve këtu përgjithësisht ndahen, por bashkohen në një pikë, është një proces shumë i vështirë përcaktimi i kësaj kostoje?
Nuk është aq e ndërlikuar sa mendoni ju. Kuptohet, nëse zgjidhni të dëgjoni specialistët e fushës dhe jo politikanët. Në vitet ‘90, kostoja e energjisë ka qenë 0.12 lekë për kwh, tani nuk është më shumë se 2 lekë. Problemi ndërlikohet, kur shihet se si duhet të funksiononte dikur një model i tillë dhe si funksionon edhe sot në Evropë. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë institut të specializuar që të bëjë llogari të tilla që nuk janë as pronë dhe as mundësi për politikanët. Dikur ka pasur një Institut të Studimeve Ekonomike, që në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Elektroenergjitike, paraqiste për miratim në Këshillin e Ministrave çdo pesë vjet çmimin e energjisë elektrike. Ky çmim përcaktohet nga një mori faktorësh që është e pamundur të thuhen në mënyrë të thjeshtuar. Sot nuk ka asnjë institut të tillë. ERE, që kryen këtë funksion është një grup prej pesë komisionarësh, shumica pa eksperiencë në fushën e energjisë. Nuk jam i sigurt, nëse ata e shumëkush tjetër është i qartë për faktin se çmimi i energjisë përcakton dhe kushtëzon edhe politikat ekonomike dhe sociale të vendit. Edhe studimet e dikurshme të kryera për llogari të shtetit shqiptar nga kompani të huaja, nga më të rëndësishmet në Evropë, si “Decon”, “Lamajer”, “London economics”, “Electroconsult” kanë pasur të njëjtin fat: hedhjen në koshin e madh të heshtjes. Por vjen një ditë, që shkenca e nëpërkëmbur na kujton atë shprehjen e urtë: “Hakmarrja është një gjellë që serviret e ftohtë”. Sepse vjen një ditë që paaftësia ka një çmim.
Kush është?
Të kontaktosh me profesor Thoma G. Meksin, laureat i Çmimeve të Republikës e deri dhe poliglot, është e lehtë. E vështirë është t´i gjesh një hapësirë të lirë kohe gjyshit të lumtur që ta bindësh të flasë. Në këtë fillimviti, kur të paktën opinioni publik dhe jo shteti e politika ka kthyer kokën nga specialistët e mirëfilltë, zoti Meksi ndjehet i trishtuar. Megjithatë, vital dhe optimist, ai nuk ngurron të thotë se, megjithatë, jo gjithmonë është më mirë vonë se kurrë. “Më mirë është që punët e mira të bëhen në kohën e tyre, por zakonisht, shoqëria shqiptare humb shumë kohë”, - thotë ai. Nuk i pëlqen të flasë për politikën, por vetëm nënqesh, kur i kujtojnë një batutë të hershme të tij që miqtë ia përmendin shpesh. Në vitin 1992, kur vëllai i tij më i ri, profesor Aleksandër Meksi, u emërua kryeministër i vendit, i kërkoi të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të KESH me motivin e lidhjes së tyre të gjakut. Përgjigjja e Profesor Meksit, edhe sot mbas 18 vjetësh, është jashtëzakonisht e trishtuar: “Po, do të iki, por më mirë do të ishte të jepje ti dorëheqjen si kryeministër. Ai është një “zanat” që mund ta bëjnë shumë vetë, me shkencën fatkeqësisht nuk ndodh kështu”, - i tha ai të vëllait, gjithashtu shkencëtar.