E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, Mediat e huaja: Situata serioze pas 2 javësh grevë

TIRANë- Protesta e djeshme e opozitës është pasqyruar edhe nga mediat ndërkombëtare të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të vecantë krizës politike në Shqipëri dhe grevës 2 javore të deputetëve socialistë, e mbështetësve të tyre. “Dhjetra mijëra vetë marrin pjesë në protestën kundra zgjedhjeve në Shqipëri”, shkruan BBC në websajtin e saj. Duke theksuar se kjo ishte protesta e dytë masive në këto dy javë, që nga fillimi i grevës. Sipas agjencisë është mëse i dukshëm përshkallëzimi dhe serioziteti i situatës, pasi dhjetra grevistë tashmë ndodhen në spital.

“Kjo krizë që u parapri nga një bojkot disa mujor i parlamentit nga socialistët, - vazhdon BBC, - ka paralizuar politikën shqiptare dhe po dëmton përpjekjen e këtij vendi për anëtarësimin në BE. Brukseli ka shprehur hapur shqetësimin e tij dhe dhjetra organizma ndërkombëtarë, përfshi këtu, Këshillin e Europës, po përpiqen të ndërmjetësojnë një kompromis mes demokratëve dhe socialistëve. Por duke qenë se të dyja palët refuzojnë të heqin dorë nga e tyrja, zgjidhja duket e vështirë.”

“Protestuesit erdhën me autobus dhe makina nga qytete të mbarë vendit, ndërsa mijëra të tjerë marshuan nga rrethinat e Tiranës drejt qendrës”, shkruan ndërkohë AFP, e cila përmend edhe propozimin për kompromis të njoftuar dje nga kreu i OSBE-së, Robert Bosch, propozim ky që ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndodhet në tryezën e të dyja palëve, që të enjten.

Mbi protestën e djeshme ka shkruajtur edhe shtypi kanadez, sipas të cilit qindra policë rrethuan ndërtesën e qeverisë dhe kryqëzimet kryesore të Tiranës, porse nuk iu desh të ndërhynin, pasi protesta ishte tërësisht paqësore.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›