E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta: Të pezullohet shitja e Albtelekom

11/05/2005  Sindikata: Do përshkallëzohet reagimi, qindra punëtore rrezikojnë të mbeten në rrugë

Punonjësit e "Albtelekom" hidhen në protestë vetëm tri ditë pas shitjes së kompanisë. Privatizimi nga kompania turke “Turk Telecom” e “Albtelecom” dhe telefonisë së lëvizshme “Eagle Mobile”, është konsideruar e papranueshme nga punonjësit sindikalistë.

Peticioni

Sindikalistët kanë hartuar një peticion i nënshkruar nga pjesa më e madhe e punonjësve të shoqërisë “Albtelecom”, ku vlerësohet se në privatizimin e kompanisë janë kryer procedura të parregullta dhe të padrejta. Një ndër kërkesat kryesore që parashtron sindikata e punonjësve të kompanisë së telefonisë së palëvizshme është që, edhe ata të marrin pjesë në privatizimin e kompanisë së vetme shtetërore të komunikimit telefonik dhe shërbimeve të tjera telekomunikative. Përfaqësuesit e Sindikatës dhe Konfederatës së Postës Shqiptare, u shprehën dje para shtypit se nuk janë dakord me shumën prej 170 milionë euro me të cilën është vlerësuar “Albtelecom” dhe aq më pak me shumën 120 milionë euro të ofruar nga shoqëria turke për blerjen e tij.

Masat

Lëvizja sindikale e “Albtelecom”-it bëri të ditur se, në rast se qeveria nuk ndërmerr veprimet e duhura për të penguar shpërdorimin e kësaj pasurie kombëtare, sindikatat do të përshkallëzojnë protestën deri në grevë të përgjithshme. Në deklaratë, lëvizja sindikaliste thekson se privatizimi i “Albtelecom”-it do të nxjerrë në rrugë të madhe shumë njerëz të personelit inxhiniero-teknik dhe shumë specialistë të kualifikuar. Sindikatat kërkojnë nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu dhe partitë politike, që me procedurë të përshpejtuar të ngarkojnë Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në parlament, për të bërë transparencën e këtij procesi dhe ta bllokojnë menjëherë atë.

Polemika

Nuk i kanë munguar kësaj shitjeje gjatë këtyre ditëve as polemika të shumta politike si dhe nga specialistë të ndryshëm, në lidhje me blerjen nga kompania shtetërore turke “Turk Telecom”, të shoqërisë shqiptare. Drejtues të Partisë Demokratike kanë deklaruar se e konsiderojnë të papranueshëm privatizimin dhe blerjen nga turqit për 120 milionë euro të kompanisë sonë shtetërore të telefonisë së palëvizshme “Albtelecom” dhe brenda asaj edhe ajo e lëvizshme “Eagle Mobile”. Ndërkohë mësohet se kompania shtetërore turke “Turk Telecom”, është aktualisht prej afro një viti në procedura shitjeje në masën 55 për qind. Për blerjen e saj, mësohet se janë ofruar disa kompani të vendeve të ndryshme të Ballkanit dhe atyre europerëndimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›