E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton sllovenët për investime

09/12/2010  Zhvillohet forumi i biznesit Shqipëri-Slloveni. Jaka: Pse të investoni në Shqipëri

Investitorët sllovenë premtojnë të kalojnë 100 milionë euro investime direkte

Kryeministri Sali Berisha ftoi biznesmenët sllovenë të investojnë në Shqipëri, në sektorë strategjikë të ekonomisë, sidomos në fushën e sigurimeve, energjetikë, ndërtim dhe turizëm. Gjatë forumit të biznesit Shqipëri-Slloveni Kryeministri foli për klimën e mirë të biznesit që ekziston në Shqipëri dhe u zotua se do të mbështesë bizneset e huaja. “Shqipëria ofron mundësi të mëdha në të gjitha fushat e ekonomisë për një progres të shpejtë, pasi është vendi më i mirë për të investuar për shkak të lehtësirave fiskale, pasurive të pafundme dhe kushteve optimale që ka krijuar qeveria për licencimin dhe regjistrimin e biznesit në kohë rekord. Ne kemi bërë një ligj për çështjet e pronësisë, investitori e ka tokën të siguruar kur e blen nga shteti”, - tha Kryeministri. Homologu i tij slloven, Borut Pahor, theksoi se së shpejti do të çelen 20 kompani të reja në Shqipëri nga biznesmenët sllovenë. “Ne jemi në kërkim të tregjeve të reja globale për zhvillimin ekonomik dhe Shqipëria është një nga tregjet ku ne do të përqendrohemi”, - tha Kryeministri i Sllovenisë. Ndërsa, përfaqësuesi i Agjencisë së Investimeve të Huaja të Sllovenisë, Zoran Stamatovski, tha s aktualisht janë 13.2 milionë euro investime direkte sllovene në Shqipëri. “Shpresojmë që shumë shpejt investimet tona këtu do të jenë treshifrore”, - tha ai, duke nënkuptuar se parashikimet sllovene janë që do t’i kalojnë 100 milionë euro. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së qarkut Tiranë, Nikolin Jaka, tha se vëllimi i shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe Sllovenisë në vitin e kaluar arriti shumën 39.4 milionë euro. Investimet e drejtpërdrejta nga Sllovenia po për vitin 2009 regjistruan shumën 13.2 milionë euro, ose 2.5 herë më shumë se sa dy vite më parë. Sipas tij, Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike mbi 3.5 për qind këtë vit. Arsye të tjera pse duhet investuar në Shqipëri, sipas tij, janë fakte të tilla si inflacioni vjetor nën kontroll në nivelin 3.5 për qind, stabiliteti i monedhës vendase, rritja nga viti në vit i buxhetit të shtetit dhe likuiditeti i bankave tregtare që po rrisin kreditimin për ekonominë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›