E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ asnjë tolerim për shkelësit e ligjit

09/12/2010  Komisioni mblidhet të marrë masa ndaj 15 vendorëve. Shtyhet vendimi për procedurë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën apel gjithë aktorëve pjesëmarrës në procesin zgjedhor, përfshi edhe partitë politike, të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe aktet e miratuara nga ky institucion, me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2011. Në të kundërt institucioni kryesor për administrimin e zgjedhjeve nuk do të tolerojë për ndëshkimin e tyre deri në ndjekje penale. “Ka një tendencë të dukshme të aktorëve që kanë impakt në zgjedhje për të shkelur ligjin, sfidë, do të thosha, e partive politike, e kandidatëve, e institucioneve, dhe kam parasysh kryetarët e komunave dhe të bashkive, që kanë detyrim për të sjellë një informacion që është shumë i rëndësishëm për ne dhe krijon impakt për mënyrën se si KQZ-ja do të menaxhojë detyrat e veta, impakt që ka të bëjë me fletët e votimit, nëpërmjet informacionit që vjen për numrin e qendrave të votimit, për vendndodhjen e tyre, për numrin e zgjedhësve”, - tha anëtari i KQZ-së Klemend Zguri. Ai i akuzoi ata se vazhdimisht në çdo proces kanë vështirësuar punën e Komisionit, të cilit i mbetet në fund fatura kryesore e përgjegjësisë. “Është bërë e padurueshme mënyra se si sillen aktorë të tjerë në raport me zgjedhjet dhe kryesisht me KQZ-në. Po na e vështirësojnë tmerrësisht punën në të gjitha zgjedhjet, në të gjitha proceset. Si kur zgjedhjet janë të pjesshme apo të përgjithshme, ne hasemi me të njëjtat sfida”, - vijoi Zguri. Në shqetësimin e tij anëtari i KQZ-së është mbështetur edhe nga kryetari i këtij institucioni Arben Risani, i cili përmendi rastin e parë të vendimmarrjes së KQZ-së për ndëshkimin administrativisht të krerëve të njësive vendore që nuk kanë respektuar Kodin Zgjedhor për dërgimin në KQZ të informacionit për hartat dhe të dhëna mbi qendrat e votimit. “Shqetësimi është i drejtë dhe ne prandaj nxituam ti penalizojmë administrativisht shkelësit e ligjit dhe mundohemi të parandalojmë shkelje të tjera, që në një rast tjetër mund të përbëjnë edhe vepër penale. Dhe për të dhënë mesazhin se nuk do ta tolerojmë këtë sjellje, nisëm të merrnim masa, por procedurat duhen respektuar”, - tha Ristani. Deklaratat e mësipërme u bënë gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit, i mbledhur për të marrë masa administrative ndaj 15 krerëve vendorë që kanë shkelur ligjin e zgjedhjeve duke mos respektuar afatet, siç janë kryetarët e komunave Cudhi, Proçan, Polis, Suke, Velçan, Bushtrisë, Bujan, Bytyç, Kaçinar, Vig-Mnelë, Gruemirë, Ndroq, Brataj, Livadhja dhe Përrenjas. Mbledhja e shty pasi nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, në respekt të procedurës ligjore, kërkoi ti viheshin në dispozicion aktet e komunikimit të KQZ-së me krerët e njësive të qeverisjes vendore.

Lista e komunave

Komuna Cudhi

Komuna Proçan

Komuna Polis

Komuna Sukë

Komuna Velçan

Komuna Bushtricë

Komuna Bujan

Komuna Bytyç

Komuna Kaçinar

Komuna Vig-Mnelë

Komuna Gruemirë

Komuna Ndroq

Komuna Brataj

Komuna Livadhja

Komuna Përrenjas

Palët në KQZ nuk bien dakord mes tyre

Shtyhet vendimi për shtimin e KZAZ-ve dhe VNV-ve në Durrës dhe Vlorë

Shtimi i KZAZ-ve dhe i vendeve të numërimit të votave në dy bashki të mëdha, Durrës dhe Vlorë, ishte një tjetër çështje e ndjeshme që u shty nga KQZ-ja. Njëra palë në komision kërkoi miratimin e këtyre ndryshimeve, me qëllim lehtësimin e procesit të numërimit të votave në këto dy qendrave të mëdha. “Do të ishte mirë që reforma zgjedhore të ishte bërë në kohë dhe një nga pikat që duhej të kishte trajtuar do të ishte dhe kjo, pra shtimi i KZAZ-ve dhe i VNV-ve. Më sa duket ajo vonon, dhe e vetmja mundësi që kishin ne për ti dhënë frymëmarrje ishte të ndanim të paktën dy bashkitë që kanë më tepër se 100 mijë zgjedhës. Por jemi të ndërgjegjshëm se do të ishte e mira të kishim një konsensus”, - tha kryetari i KQZ-së Arben Ristani. Për përfaqësuesin e PD-së në komision Njazi Kosovrasti këtë çështje e zgjidh Kodi në neni 123, pika 1. Por pala tjetër në komision mendon se nuk është e nevojshme që Komisioni të nxitojë për miratimin e kësaj çështjeje, duke ia lënë kohës. “Unë mendoj se ka kohë, të presim. Edhe po nuk u bë nuk është ndonjë kiamet i madh, por me ato projekte që diskutojmë besoj se nuk do të ketë fare nevojë për tavolina të tjera. Me teknologjitë e reja puna dhe procesi do të përshpejtohen dhe jo ngadalësohen”, - tha anëtari i Komisionit Artan Lazaj.

Veprimtaria e legjislativit

Përmbytjet, pezullohet seanca parlamentare

Kuvendi i Shqipërisë nuk do të zhvillojë punimet e përjavshme të tij në seancë parlamentare për shkak të impenjimit të deputetëve në zonat e përmbytura në Shkodër. Njoftimi është bërë zyrtarisht nga zyra e shtypit pranë Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. “Njoftohen të gjithë deputetët se seanca plenare e ditës së enjte, datë 9.12.2010, nuk do të zhvillohet për shkak të impenjimit të deputetëve në zonat e përmbytura në funksion të përballimit sa më të mirë të situatës së fatkeqësisë natyrore në qarkun e Shkodrës”, - thuhet në këtë njoftim. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, deklaroi se do ti sugjeronte Kuvendit pezullimin e seancës së sotme. “Unë e kuptoj se në komisione ju presin ligje, dhe ato janë shumë të rëndësishme. Unë e kuptoj se veprimtaria e Parlamentit është themelore, por nga ana tjetër ju jeni të pazëvendësueshëm për zgjedhësit dhe qytetarët shqiptarë. Prania e deputeti është e pazëvendësueshme, ndaj mendoj se edhe Parlamenti mund ta shqyrtojë seancën parlamentare të kësaj jave, pasi ka shumë nevojë të jemi në krye të një fronti jashtëzakonisht kritik dhe delikat”, - tha Kryeministri Berisha në atë mbledhje. Kreu i ekzekutivit shtyu gjithashtu festimet për themelimin e pluralizmit dhe të PD-së.

Presidenti Topi pret kryeministrin Pahor

Përmbytjet, Sllovenia ndihmë Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, diskutuan për bashkëpunimin e frytshëm e miqësinë mes dy vendeve e popujve tanë dhe theksuan vullnetin e përbashkët për ti thelluar ato si në nivelin politik, ekonomik, ashtu dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë. Referuar situatës së rënduar të krijuar në veriperëndim të vendit për shkak të përmbytjeve, kryeministri slloven shprehu solidaritetin institucional dhe keqardhjen e thellë për dëmet e kësaj fatkeqësie natyrore, ndërsa Presidenti Topi vuri në dukje faktin se “ne çmojmë pa masë ndihmesën dhe mbështetjen e të gjitha vendeve dhe shteteve mike në këto ditë të emergjencës civile”. Në vijim të bisedës Presidenti Topi bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve më pozitive në Shqipëri. Ai vuri në dukje angazhimin dhe vullnetin e duhur për të përballuar sfidat dhe detyrimet në rrugën tonë drejt familjes së madhe evropiane, duke theksuar se liberalizimi i vizave me BE-në për shqiptarët i kontribuon këtij synimi kombëtar. Nga ana e tij Pahor vlerësoi lart marrëdhëniet dypalëshe dhe theksoi rëndësinë e hapjes së ambasadës sllovene në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›