Protesta e PS-së, zbulohen detajet

Pas më shumë se 6 muajsh opozita do të protestojë sërish para selisë së Kryeministrisë këtë herë për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Nëntë parti, koalicioni më i madh që kryesocialisti Edi Rama ka bashkuar në një protestë kundër qeverisë do të kërkojnë hapjen e kutive të votimit duke reaguar kundër proceseve zgjedhore të manipuluara siç është për ta procesi i 28 qershorit. Së bashku me kryesocialistin Edi Rama në bulevardin "Dëshmoret e Kombit" pritet të marshojne edhe liderët e partive të majta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Erjon Veliaj, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ndërkohë që do të mungojnë në këtë manifestim krerët e partive të djathta edhe pse nuk përjashtohet prania e simpatizantëve të tyre. Mësohet se para protestuesve do të flasin disa prej figurave më të njohura të kësaj aleance të re të krijuar në sherbim të hapjes së kutive të votimit, ndërkohë që vetë Edi Rama do të mbajë fjalën i fundit. Ndërkaq zhvillimi i protestës nga ana e opozitës ka vënë në lëvizje edhe policinë e cila ka njoftuar bllokimin e qarkullimit të makinave në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" prej orës 16:00 deri në përfundim të manifestimit të opozitës.