E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e të burgosurve në Peqin, Avokati i Popullit takim me drejtuesit e burgut

Protesta disaditore e të burgosurve të Peqinit në lidhje me kufizimin e lejeve ka zgjuar reagimin e Avokatit të Popullit, i cili së bashku me stafin e tij është nisur sot drejt Peqinit.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, do të zhvillojë sot një inspektim në burgun e Peqinit, ku do të bisedojë me drejtuesit e burgut dhe do të dëgjojë kërkesat e të burgosurve.

Gjithashtu, vizita në burgun e Peqinit ka për qëllim vëzhgimin nga afër të gjendjes së të burgosurve dhe përmirësimin e kushteve atje.

Prej disa ditësh, të dënuarit që vuajnë dënimin në burgun e Peqinit kërkojnë shtimin e numrit të ditëve për të shkuar në familjet e tyre.

Ata shprehen se autoritetet e burgut ua kanë kufizuar ditët e lejeve pas moskthimit të një të burgosuri.

Rasti në fjalë ka bërë që të penalizohen padrejtësisht edhe të burgosurit e tjerë, të cilët janë shprehur se do ta përshkallëzojnë protestën nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet.

“Më parë ditët e lejes kanë qenë 10 ditë, ndërsa tani janë reduktuar në 3 ose 4″, janë shprehur të burgosurit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›