E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta para ministrisë: Na "legalizoni" diplomat

Pas publikimit të lajmit se diplomat universitare të studentëve që kanë mbaruar Juridikun dhe Ekonomikun me sistemin e vjetër (4+1) po refuzohen në shkollat dhe institucionet pasuniversitare probleme të tjera po evidentohen më tej.

Tashmë nuk flitet vetëm ata që kanë aplikuar për studime specializimi jashtë vendit ose në Magjistraturën e Tiranës, por i gjithë ky brez prej rreth 1500 personash që sapo ka përfunduar shkollimin në Fakultetin e Ekonomikut dhe Juridikun, në Tiranë, kanë marrë në dorë një diplomë e cila nuk njihet askund.

Një grup studentësh janë mbledhur dje para dyerve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke kërkuar regjistrimin e menjëhershëm të diplomave të tyre.

Njëkohësisht, një përfaqësi e tyre i ka dërguar një peticion Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, lidhur me problemin e tyre.

Duke iu drejtuar instancave më të larta zyrtare për të zhbllokuar procedurat e regjistrimit të diplomave, të rinjtë nguten të thonë se fati i shkollimit të tyre të mëtejshëm, varet krejtësisht nga shpejtësia e veprimeve që do të ndërmerren nga ministri i ri i Arsimit, Tafaj. "I kërkojmë Kryeministrit Berisha dhe ministrit të sapoemëruar, Myqerem Tafaj, të ushtrojnë vullnetin e tyre që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të zbatojë ligjin e Arsimit të Lartë dhe të regjistrojë diplomat tona në regjistrin shtetëror të diplomave dhe certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor", thuhet në deklaratën e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të UT-së. Situata e krijuar ka shkaktuar shumë pakënaqësi ndër të rinjtë që kanë mësuar në këtë formë se investimi katërvjeçar për shkollimin e tyre sot për sot nuk u njihet nga Ministria. "Janë 64 persona që u regjistruan për konkurrim në Shkollën e Magjistraturës, por u përjashtuan nga konkurrimi bazuar në një shkresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas të cilit diplomat e studentëve të sapodiplomuar nuk janë regjistruar në regjistrin shtetëror dhe si të tilla janë të pavlefshme", shkruhet në deklaratën e studentëve të "palicencuar". Pasojat e këtij veprimi janë të pallogaritshme për të sapodiplomuarit e Fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomikut, pasi afatet për regjistrimin në shkollat e specialitetit janë duke u mbyllur dhe askush nuk mund t‘ju kthejë atyre paratë dhe kohën që u është dashur për të fituar privilegjin e një shkolle pasuniversitare. Ndërkohë, brenda Ministrisë së Arsimit, presioni është gjithashtu i dukshëm, pasi ndërrimi dhe lëvizjet e stafit kanë shkaktuar rrëmujë dhe mungesë informacioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›