E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta pranë HEC-it të Kalivaçit, kërkohet dëmshpërblimi i pronarëve

>Tepelenë, banorët kërkojnë kompensimin e tokave dhe banesave që u "merr" hidrocentrali

Banorët e pesë komunave në rrethin e Tepelenës, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi I hidrocentralit të Kalivaçit, kanë protestuar mesditën e djeshme, për shkak se qeveria nuk u ka bërë të njohur atyre vlerën e dëmit financiar nga pronat, të cilat do të preken direkt nga ndërtimi dhe shtrirja e kësaj vepre hidroenergjetike në jug të vendit. Njohja me vlerësimet financiare të tokave bujqësore dhe banesat që do të përmbyten nga liqeni i veprës  idroenergjetike, kanë qenë kërkesat primare të protestuesve, të cilët nuk janë njohur deri më sot nga autoritetet shtetërore. "Edhe herë të tjera kemi organizuar protesta sigurisht paqësore por askush deri më sot nga qeveria shqiptare nuk ka marrë mundimin të na njohë me problematikën që kemi", janë shprehur të irrituar banorët e zonës në fjalë. Sipas kreut të Komunës Qesarat, Arjan Zeqaj, nga ndërtimi i hidrocentralit të Kalivaçit do të preket një sasi toke deri në 1 700 ha si dhe 128 banesa. Të gjitha këto prona do të vihen nën ujë nga liqeni I hidrocentralit për një të ardhme të afërt dhe deri më sot, instrumentet qeveritare nuk i kanë njohur fshatarët e zonës, se cila do të jetë kostoja financiare e dëmshpërblimit të pronave të tyre të paluajtshme. Për ta, kjo që po ndodh është e papranueshme sepse askush deri tani nuk është kujtuar të dëgjojë pretendimet e tyre qoftë për çmimin e tokës dhe të godinave të banimit.

Policia pengon protestën pranë hidrocentralit
Protestuesit kanë dashur të zhvillojnë tubimin e tyre në vendin ku punohet për ndërtimin e hidrocentralit, por nuk janë lejuar nga ana e forcave të rendit për të mos krijuar trazira dhe pengesë në punimet që ndërmerren prej vitesh. Fillimi i punimeve në hidrocentralin e Kalivaçit është përuruar me një ceremoni madhështore në vitin 2004 nga ish- kryeministri Fatos Nano. Ishte parashikuar që vepra hidroenergjetike të ezaurohej në vitin 2008, por është shtyrë edhe për dy vjet të tjera për pasojë të ngadalësisë në punime pse jo dhe të pengesave që janë hasur në dëmshpërblimin e banorëve të zonës për trojet e paluajtshme. Deri më tani, është punuar në masën 35% të veprës, ndërkohë kur afatit të përfundimit të saj i ka mbetur afërsisht më tepër se 12 muaj. Hidrocentrali i Kalivaçit do të ndërtohet mbi lumin Vjosë në afërsi të fshatit Kalivaç, rreth 15 km larg qytetit të Memaliajit, 30 km nga qyteti i Tepelenës dhe 50 km nga qyteti i Vlorës. Ky hidrocemtral do të shfrytëzojë rënien nga kuota 70,4 metra deri në kuotën e 110 metrave mbi nivelin e detit. Hidrocentrali i Kalivaçit është parashikuar të ndërtohet në një periudhë 3-vjeçare. Ai do të ketë një fuqi të vendosur rreth 92,4 GË dhe do të prodhojë mesatarisht në vit 350 GËH. Sipas marrëveshjes së koncesionit të hartuar midis marrësit të koncesionit dhe qeverisë shqiptare 10 për qind e sasisë së energjisë elektrike të prodhuar, do të jepet dhuratë koncesioni sistemit energjetik shqiptar, ndërsa pjesa tjetër është e drejtë e koncesionarit që ta japë për sistemin energjetik shqiptar apo ta eksportojë. Hidrocentrali I Kalivaçit do të mbulojë me energji rajonin e jugut dhe në këtë mënyrë sipas  specialistëve, do të plotësojë kërkesat gjithmonë e në rritje me rrymë elektrike për konsumatorët në rrethet e jugut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›