E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat e socialistëve ndalen në Kuçovë e komunat e Beratit

Berat

Deputetët e majtë të Qarkut të Beratit kanë qenë në qendër të protestave të organizuara në qytetin e Kuçovës dhe në komunat e Rrethit të Beratit, ku kanë akuzuar qeverinë për gjendjen e rënduar ekonomike e sociale që po kalojnë banorët e këtyre zonave. Protestat e nisura nga PS në mbarë vendin janë ndalur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Kuçovës, ku deputetja e majtë, Ermonela Felaj, akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur premtimet për këtë qytet. “Sot Kuçova ju bën me dije se qeveria juaj duhet të largohet zoti Berisha, ju duhet të hapni ato kuti ku mbani të mbyllur të fshehtën e krimit tuaj elektoral, ose në të kundërt duhet të largoheni”, tha Felaj. Ndërsa mesditën e djeshme, deputeti Fidel Ylli ka qenë në fshatin Veterik të Komunës Velabishtë në Rrethin e Beratit, ku banorët e zonës kanë protestuar, pasi në shumë fshatra të kësaj komune tokat bujqësore janë përmbytur nga lumi Osum dhe ata nuk kanë përfituar asnjë ndihmë nga shteti. Ylli u shpreh përpara banorëve se në vendin tonë duhet të mbarojë historia e vjedhjes së votës. “Ne kemi mbetur ende në pikën ku diskutohet vjedhja e votës dhe pse pretendojnë të futemi në BE, ku kusht kryesor për integrimin është dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Ylli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›