E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon te vajza për vizitë, vetëhidhet nga kati i pestë

Tiranë

Një grua e moshuar i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm, pasi është hedhur nga kati i pestë i një pallati të ri te rruga “Mihal Grameno” në Tiranë, përballë minibashkive nr.1 dhe nr.2. Manushaqe Ramolli është parë në rrugë nga kalimtarët e rastit, të cilët kanë njoftuar policinë, ndërkohë që të afërmit e saj kanë zbritur për të mbuluar trupin e pajetë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30, te një pallat i ri, pranë Tregut Elektrik. Menjëherë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka pyetur të pranishmit në lidhje me identifikimin e saj, që rezultoi se ishte një 70-vjeçare që kishte ardhur për vizitë tek e bija. Vajza e saj, e martuar, ka deklaruar se nëna kishte ardhur për vizitë dy ditë më parë, por nuk kishte shfaqur probleme që mund të mendonte për vetëvrasje të saj. Më pas, policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, pasi fillimisht mendohej për vdekje aksidentale, por duke marrë shkas nga rrethanat, ka rezultuar se është vetëvrasje. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës dhe më vonë u është dorëzuar familjarëve. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër rast vetëvrasje u shënua te rruga “Don Bosko”, kur një 40-vjeçar kishte shkuar për vizitë te nëna dhe u hodh nga kati i gjashtë i një pallati dhe mendohet se e kreu këtë veprim për shkak të humbjes së vendit të punës në një bankë në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›