Protestat për zgjedhjet, sot takimi i aleatëve
TIRANE -Kreu socialist, Edi Rama pritet të mbledhë sot pasdite, rreth orës 18:00, në një takim të përbashkët aleatët e majtë dhe përfaqësuesit e së djathtës. Në këtë takim, të parin për këtë vit, mendohet që koalicioni opozitar të diskutojë për rifillimin e protestave mbarëpopullore. Po kështu pritet që të diskutohet një datë e saktë e nisjes së aksionit të ri opozitar, ku sërish në qendër të kërkesave drejtuar qeverisë do të jetë hapja e kutive të votimit dhe avancimi drejt kërkesës për largim të Sali Berishës. Burimet nga aleatët e PS-së bëjnë të ditur se rinisja e protestave mund të shtyhet për një periudhë kohe, deri në rehabilitimin e situatës në zonat e përmbytura. Gjatë kësaj kohe opozita do të jetë në mbështetje të popullsisë së këtyre zonave dhe do t’i bëjë presion qeverisë deri në fund për të dëmshpërblyer banorët e dëmtuar. Më pas mendohet që protestat të rinisin ndoshta në këto zona. Por gjithçka do të diskutohet në takimin e pasdites së sotme. PS ka lajmëruar se në këtë fillim viti opozita do të protestojë së bashku me grupet e ndryshme të interesit. Tashmë në qendër të reagimeve mbarëpopullore do të jenë më tepër çështjet sociale dhe ekonomike që shqetësojnë vendin. Por sigurisht, nuk do të mbetet pas edhe kërkesa politike që ka të bëjë me hapjen e kutive dhe largimin e kësaj qeverie, nga e cila, sipas drejtuesve socialistë, fillon edhe kriza që ka kapluar vendin. (Balkanweb)