Protestat, shqiptarët largohen nga Radishani
SHKUP- Familjet shqiptare janë larguar plotësisht nga lagja Radishan e Shkupit për shkak të pasigurisë, pas tensionit qe shoqeroi mbreme protesten antishqiptare.
Banorët janë vendosur tek të afërmit e tyre në lagjet e Shkupit dhe qytetet e tjera, deri në qetësimin e situatës.
Jemi detyruar që të lëshojmë shtëpitë, për shkak të pasigurisë dhe rrezikut se mund të sulmohemi nga huliganë maqedonas. Kemi qëndruar në shtëpitë tona, mirëpo dje vlerësuam se duhet të ikim për momentin, sepse nuk i dihet situatës, ka treguar një banor i kësaj lagjeje.
Sipas tyre, djegia e një floktoreje në sheshin e lagjes, mbishkrimet raciste Vdekje për shqiptarët nëpër muret e shtëpive në pjesën ku jetojnë familje shqiptare kanë detyruar që nga shkaqet e sigurisë të lëshojnë shtëpitë e tyre.
Banorët shqiptarë të Radishanit kanë theksuar se një i ri i fshatit është rrahur brutalisht në rrugën mbi urën që lidh këtë lagje me Butelin. Ai ishte sulmuar nga një grup huliganësh maqedonas.
Ndërkohë, në këtë lagje, po vazhdojnë barrikada të improvizuara dhe mobile të rrugës, me kërkesën e disa banorëve që të ndriçohet sa më shpejtë vrasja e pesëfishtë që ndodhi të enjten në Smilkovc të Shkupit.
Forca të mëdha policore janë të stacionuara në hyrje daljet e autostradës që lidh Tetovën Shkupin, në urën lidhëse që lidh Radishanin dhe Butelit. Forca policore speciale janë të stacionuara edhe në afërsi të disa shtëpive në hyrje të lagjes Butel.
Dhjetëra familje shqiptare jetojnë në dalje të lagjes Radishan, e dominuar nga popullësia maqedonase dhe serbe.(INA)