E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestojne grate jashte liste ne Kukes e Korce

Niveli i ulët i përfaqësimit të grave në institucione dhe publikimi i listave të kandidatëve për drejtues lokalë dhe këshilla bashkiakë ka bërë që shoqatat e grave të ngrenë shqetësimin e mosarritjes së pragut në 30% të përcaktuar me ligj. Organizata të shoqërisë civile në Kukës, pas një sondazhi të kryer kanë theksuar edhe një herë rëndësinë e arritjes së barazisë gjinore në vendimmarrje apo politikë.

 “Nëse ju si kandidatë, nëse ne si shoqëri, si aktorë të shoqërisë do t’i mëshojmë fort kësaj gjëje, do ta bëjmë reale do të thotë që do të përmirësojmë jetën e komunitetit tonë, do të thotë që dhe kandidatët që do ti kenë në axhendë do të kenë votën tonë”- tha Doriana Gjuta, përfaqësuese e Shoqërisë Civile.

Edhe në qytetin e Korçës është ngritur i njëjti shqetësim nga shoqatat e grave të cilat kanë theksuar renditjen e grave në fund të listave të këshilltarëve  gjë që ul ndjeshëm mundësinë e fitores së tyre.

“Pikët më të ulëta janë marrë në pjesëmarrjen e ulët në vendimmarrjen publike të grave dhe vajzave. Mungesa e strategjive për përfshirjen e vajzave e grave në vendimmarrjen politike. Mungesa e punonjësve vendorë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje në në strukturën e qeverisjes vendore”- Entela Maçka, drejtore Ekzekutive e Shoqatës “Gruaja në zhvillim” në Korçë.

Në takim janë parashtruar edhe format e metodat që do të ndihmojnë në zbutjen dhe shmangien e dobësive e mungesave të evidentuara në punën e organeve të pushtetit vendor.

Flurura Tota
Jorgjeta Gjançi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›