E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolli, muajin e ardhshëm bisedime EULEX-Serbi për zbatimin

Në fillim të muajit të ardhshëm do të nisin konsultimet me qeverinë serbe për gjetjen e modaliteteve se si mund të implementohet protokolli për bashkëpunim policor EULEX-Serbi. Një lajm i tillë bëhet i ditur nga zyrtarë të EULEX-it, sipas të cilëve tani që ky dokument është aktiv pas nënshkrimit të tij në datën 11 shtator mes dy palëve, meriton negociata konkrete sesi mund të zbatohet sa më mirë në dobi të popullit serb. "Protokolli për bashkëpunim policor me Beogradin tashmë është aktiv meqë është nënshkruar nga të dyja palët, por nuk është përdorur deri tani. Nuk ka patur shkëmbim informatash që kur është nënshkruar protokolli. Ajo që planifikon policia e EULEX-it është të zhvillojë një takim, në fillim të tetorit, me homologët e saj në Serbi për t'u marrë vesh për rrugët se si do të implementohet kjo marrëveshje teknike", sqaron zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi. Nga ana e tyre, zyrtarët kosovarë i quajnë të parëndësishme kontaktet për bashkëpunim policor EULEX-Serbi, përsa kohë është I njohur qëndrimi shtetëror i Kosovës ndaj këtij protokolli. Në këto rrethana, implementimi i protokollit në fjalë nuk do të përfshijë autoritetet kosovare të sigurisë. Pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, autoritetet ndërkombëtare kishin paralajmëruar edhe nënshkrimin e protokolleve të ngjashme për dogana e gjyqësi, me të cilat, siç bëhet e ditur, synohet të kthehet kontrolli në këta sektorë në pjesën veriore të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›