E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jemi gati për protesta

Kryetari i opozitës deklaroi dje se arka e shtetit është bosh dhe vendi në krizë

Partia Socialiste është gati për protesta. Vendosmëria për të nisur nga tubimet në të gjithë vendin, në rast se deri në datën 18 mars mazhoranca nuk i miraton dy nismat ligjore që garantojnë hapjen e kutive, u konfirmua dje edhe nga kryetari Edi Rama. I pyetur nëse opozita do të fillojë protestat pas mbarimit të afatit, Rama tha se “kjo është e stërqartë. Pa dyshim po”. Kreu i opozitës shprehu bindjen se ka gjithmonë e më pak shpresë për mazhorancën. Në këtë bashkëbisedim, Rama u ndal gjatë te situata ekonomike në vend. Sipas tij, është bërë një batërdi që si përgjegjës kryesor ka qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha. Lideri i opozitës akuzoi INSTAT-in, i cili sipas tij nuk thotë të vërtetën për çmimet që janë rritur 3 deri në 4 herë më shumë, duke paralajmëruar edhe një padi kundër këtij institucioni që është kthyer në një vegël në dorë të qeverisë. “Ne po studiojmë mundësinë e ngritjes së një padie penale për INSTAT-in, pikërisht për manipulimin e shifrave dhe falsifikimin e vazhdueshëm të të dhënave të ekonomisë. Kjo përbën një krim dhe ky është një krim që mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme në planin e stabilitetit social”, tha Rama. Sipas tij, ky institut shtetëror, që është bërë mashë e pushtetit politik, ka disa muaj që mashtron duke thënë se ushqimet janë shtrenjtuar 7–8%. “Ne i jemi referuar kësaj shifre, por nga thellimi në këtë aspekt, e vërteta në tregjet e pakicës apo në raportime të ndryshme të pavarura, si edhe kryqëzimi i të dhënave tona, tregon se rritja e çmimeve të ushqimeve luhatet në nivelet 15–30%”, u shpreh Rama.
Sipas kryetarit socialist, në këtë batërdi ekonomike ku po zhytet vendi përditë, me një qeveri që e ka arkën bosh, zoti Berisha vazhdon premton tunele të reja dhe rritje pagash e pensionesh. “Por, sot është dita për të kuptuar ç’ka ndodhur në këtë krizë me pensionet”, tha ai. Rama konsideroi se edhe pse Kryeministri premtoi rritje rrogash dhe pensionesh, kjo nuk mund të ndodhë pasi arka e shtetit është bosh. Ai bëri me dije se PS i qëndron ende planit të saj për të kapërcyer krizën, të cilin e shpalli edhe në fushatë, por edhe në muajt në vijim. “S’ka pikë dyshimi se vijimi kokëfortë në rrugën e gabuar të kësaj politike të gabuar ekonomike është nga njëra anë shprehje e papërgjegjshmërisë, por nga ana tjetër është shprehje e faktit se ky nuk është pushteti i interesave publike, por pushteti i një grushti njerëzish”, nënvizoi ai. Në përfundim të këtij komunikimi, Rama tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se fati i betejës tonë për transparencën lidhet drejtpërdrejt me fatin e ekonomisë dhe mirëqenies së vendit. “Nuk mund të ketë tjetër send, veç rrënimit të ekonomisë dhe shkatërrimit të të gjitha burimeve të mirëqenies në kushtet kur ka një pushtet, që nuk ka nevojë për votën e qytetarit, sepse e merr atë edhe kur nuk ia jep”, deklaroi Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›