Ps akuzon qeverinë për zjarret: Nuk reagon për të favorizuar industrinë e qymyrit

Mëngjesin e së mërkurës deputeti socialist, ekspert i çështjeve mjedisore, Besnik Baraj, ka qenë në zonat e shkrumbuara nga zjarret. Baraj në deklaratën e tij ka vënë në dukje se përveç faktit se nuk është bërë asnjë investim është qeveria shqiptare ajo që ka krijuar klimë të përshtatshme për t`i shfrytëzuar në mënyrë barbare këto asete të pasurisë kombëtare të Shqipërisë.
“Kjo mazhorancë sot jo vetëm që krijon këtë klimë, por njëkohësisht ka kontribuar vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkatërrimin e këtyre aseteve me vlera të jashtëzakonshme, sikurse është rasti i parkut të Tiranës në të cilin po ndërhyhet në mënyrë barbare për t`u siguruar klientëve të familjes së kryeministrit kushte të favorshme për zhvillimet e bizneseve të tyre” tha Baraj .
Madje deputeti socialist Baraj tregoi edhe disa nga pistat ku mund të hetohet për zjarrvënien e qëllimshme: “Problemi i korrupsionit, eksporti qymyrit sot po lulëzon, pikërisht, falë kësaj politike të qeverisë Berisha. Ka shumë të ngjarë që në këtë kuadër të nxiten djegiet edhe nga element të caktuar që janë përfshirë në përdorimin e fondeve dhe burimeve financiare, qoftë edhe të organizmave ndërkombëtarë, me qëllim që duke mos i bërë këto investime ata të mbulojnë moskryerjen e tyre nëpërmjet këtyre zjarreve.”