Pse Shqipëria duhet ta votojë përsëri Sali Berishën
Akademik Mark Krasniqi për zgjedhjet në Shqipëri
Pse Shqipëria duhet ta votojë përsëri Sali Berishën
Shpresoj që këtë respekt e dashuri do ta tregojë më 23 qershor shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar me votën e vet në favor të Sali Berishës, përkatësisht të Partisë Demokratike
Rama, mik i armikut tonë - Zoti Rama është shumë i afërm me Partinë Socialiste të armikut gjenocidial të popullit shqiptar. Ai edhe kongresin, apo edhe në raste të tjera, të partisë së tij nuk i mban pa prezencën e delegatit serb nga Beogradi, madje edhe një këngëtar serb nga kryeqyteti i Serbisë e ka nderuar duke ia dhuruar çelësin e Tiranës, kur Rama ka qenë kryetar i Bashkisë.
Thënia - Do të duhej një hapësirë shumë e madhe e gazetës vetëm për të numëruar sukseset e Sali Berishës të arritura në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit.
Bisedoi:Bajrush Morina
Fushata e zgjedhjeve dhe mbajtja e zgjedhjeve nacionale në Shqipëri nuk e “lë të qetë” akademik Mark Krasniqin. Ai nuk mund të jetë indiferent ndaj këtyre zgjedhjeve për faktin se Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet shteti amë i shqiptarëve kudo që janë dhe për arsyen se akademik Mark Krasniqi është qytetar i Republikës së Shqipërisë edhe “de jure”. I pyetur se çka mendon për situatën aktuale politike dhe për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë, akademik Mark Krasniqi tha se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë në dorë të votuesve shqiptarë. Por për situatën aktuale politike në Shqipëri mund të them se është mjaft e acaruar, sidomos mes dy partive më të mëdha politike mes dy rivalëve – Partisë Demokratike e kryeministrit dr. Sali Berisha dhe Partisë Socialiste e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kuptohet, partitë kudo luftojnë për pushtet, duke i premtuar elektoratit qeverisje më të mirë se partia kundërshtare. Mirëpo, të dy këto parti kanë qenë në pushtet dhe elektorati i njeh mirë kryetarët e këtyre partive.
Partia Socialistë ka ardhur në pushtet me shkatërrimin e Shqipërisë në vitin 1997
Por, për të mirën e shtetit, elektorati duhet të jetë objektiv në gjykimin e punës së këtyre dy rivalëve gjatë sundimit të tyre, përkatësisht të partive të tyre. Zotëri edhi Rama, përkatësisht Partia Socialiste, ka ardhur në pushtet me forcë, me shkatërrimin e Shqipërisë më 1997, dhe gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste çdo gjë gati krejtësisht ka stagnuar, asnjë sukses më i madh nuk është arritur në përparimin ekonomik, kulturor, politik etj. gjatë mandatit të saj. Nga ana tjetër, zoti Edi Rama ka bërë disa veprime në dëmin e Shqipërisë me sjelljet e veta jo njerëzore brenda dhe jashtë shtetit. Madje, ai ka bllokuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke urdhëruar deputetet socialistë që të mos votojnë 3 ligje në Parlament, të cilët janë kusht për pranimin e Shqipërisë në këtë institucion shumë të rëndësishëm evropian. Zoti Rama me socialistët e tij bën çmos për të penguar zhvillimin e Shqipërisë gjatë mandatit të zotëri Sali Berisha. Rama ka qenë kundër autostradës Durrës-Prishtinë dhe kundër rrugëve të tjera moderne anembanë shtetit, në jug e në veri, në fusha e në male. Zoti Rama është shumë i afërm me Partinë Socialiste të armikut gjenocidial të popullit shqiptar. Ai edhe kongresin, apo në raste të tjera, të partisë së tij nuk i mban pa prezencën e delegatit serb nga Beogradi, madje edhe një këngëtar serb nga kryeqyteti i Serbisë e ka nderuar duke ia dhuruar çelësin e Tiranës, kur Rama ka qenë kryetar i Bashkisë. Unë nuk i di të gjitha aktet antinjerëzore, antikombëtare dhe antishtetërore të zotëri Edi Rama, por skandalet e tij publike i di shumëkush, të cilat mjaftojnë për t’u bindur elektorati se një person me këto kualitete komprometuese nuk meriton asnjë votë të elektoratit të ndershëm shqiptar.
Sali Berisha ka hyrë në histori me Rrugën e Kombit
Nga ana tjetër, kryeministri aktual, dr. Sali Berisha, gjatë mandatit të tij ka bërë punë shumë të mëdha për
zhvillimin e gjithanshëm të Shtetit Shqiptar, si në planin e zhvillimit të brendshëm, ashtu edhe në fushën diplomatike ndërkombëtare. Do të duhej një hapësirë shumë e madhe e gazetës vetëm për të numëruar sukseset e Sali Berishës të arritura në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit. Por, edhe sikur të mos kishte bërë asgjë tjetër, Sali Berisha do të hyjë në histori për ndërtimin e autostradës moderne Durrës – Prishtinë, duke hapur tunelin e Kalimashit 11 kilometra të gjatë, plus autostradën Tiranë - Elbasan me tunelin e mrekullueshëm të Qafë Krrabës. Në këtë mënyrë viset e ndryshme të Shqipërisë janë lidhur dhe janë afruar mes veti, kurse me autostradën Durrës-Prishtinë është zhdukur pengesa e madhe natyrore për afrimin e bashkimin shpirtëror e fizik kombëtar. Sali Berisha e do me shpirt e me zemër Shqipërinë e shqiptarët kudo që janë, sidomos Kosovën, për të cilën ka punuar shumë dhe vazhdon këtë punë atdhetare, për njohjen e pavarësisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Por edhe shqiptarët, kudo që janë, e duan Sali Berishën, sidomos Kosova. Edi Rama dhe partia e tij aspak nuk e duan Kosovën, por, për të thënë të vërtetën, Kosova s’ka nevojë për ta dashur njerëzit e partitë antishqiptare e antikosovare, me përjashtim të individëve këtej e andej kufirit. Shqipëria festoi në mënyrë madhështore 100-vjetorin e pavarësisë së saj. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka pasur në qeveri njerëz të ndershëm dhe atdhetarë të dalluar. Por gjatë këtyre 100 vjetëve Shqipëria nuk ka pasur asnjë kryeministër të aftë, punëtor, të mençur, demokrat, energjik, atdhetar i ndershëm dhe properëndimor, siç është kryeministri i Shqipërisë, dr. Sali Berisha. Si të tillë e respekton dhe e do çdo shqiptar i ndershëm kudo që të jetë. Shpresoj që këtë respekt e dashuri do ta tregojë më 23 qershor shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar me votën e vet në favor të Sali Berishës, përkatësisht të Partisë Demokratike, për të vazhduar me sukses punën në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit shqiptar.