E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk ka të drejtë ministri Bode?



Luftim Ahmetaj*

Në një seancë parlamentare të datës 26 janar të këtij viti, ku kërkohej nga LSI-ja të miratohej Statusi i Minatorit (të së vetmes shtresë të shoqërisë që e kërkon këtë të drejtë me insistim dhe me shumë protesta), ministri Bode, me shumë cinizëm dhe mllef antiqytetar, mbrojti me shumë zell (kuptohet, ndoshta vetëm për t’i bërë qejfin Berishës, për të qenë sa më afër në listat deputetore, si shumë e shumë të tjerë në PD) të kundërtën e kërkesës dhe të drejtës që ka një shtresë e vuajtur dhe e masakruar e shoqërisë për të jetuar. Jo për shkak se kjo nuk ishte një e drejtë legjitime, vetëm e minatorëve; jo se kjo nuk i takonte kësaj shtrese të shoqërisë, por meqenëse shqiptarët, “me keqardhje shumë naive” dhe perëndia Amerikë që i detyruan të votonin për këta monstra, kishin mandatuar edhe një herë Berishën dhe vetë ministrin Bode në pushtet; pra kishin mandatuar ata politikanë, që nuk duan t’i njohin minatorët si minatorë dhe statusin si status, gjë që e ka e gjithë bota e qytetëruar ku do të shkojmë; gjë që në bazë të ligjeve në fuqi e ka edhe qytetërimi shqiptar, por që nuk është në linjën korruptive të “udhëheqësit karizmatik” Berisha dhe sindikatave të korruptuara që, paturpësisht, ai mbështet sa herë vjen në pushtet...
Për çudinë time, nuk di pse gjoja u përzie dhe “avokati shumë i shquar Ngjela”, i cili mbasi shpjegoi se çfarë heqin minatorët në miniera (ku ndoshta si i burgosur politik i Bllokut vetëm numëronte vagonat, por nuk i shtynte ata), zbuloi Amerikën kur tha: “Zotëri, më falni, por... ëëë, Zotëri menonënoiey mmmm ( ka mundësi të ishte i dehur), se ndëgjo Zotëri, ëeëëoëy, faleminderit Zotërinj”. Një e folur që nuk i dha asnjë kuptim fjalës së tij.
Që shqiptarët të mos më keqkuptojnë për qëndrimin tim ndaj ministrit, do t’u thoja: shikojeni me vëmendje këtë zotëri që reflektoi një sjellje rurale ndaj shtresës më të vuajtur dhe të pavlerësuar nga shteti; shtresës që po sakrifikon, ndonëse shteti dhe qeveria heshtin ndaj vuajtjeve dhe sakrificave të tyre.
Statusi i minatorit, por dhe statuse të tjera, janë një e drejtë legjitime e atyre që janë dhe që realisht e meritojnë këtë përcaktim. Në qoftë se minatorët kanë punuar në frontin më të vështirë, në qoftë se minatorët në masën 30% janë me silikozë (sëmundje vdekjeprurëse, tip kanceri), në qoftë se minatorët vdekshmërinë e pritshme e kanë rreth 53 vjeç; në qoftë se minatorët, që me gjakun e tyre kanë ndërtuar të gjitha ato asete që privatizon “familja”; në qoftë se minimumi jetik në Shqipërinë e “lumtur” të zotit Berisha dhe oborrtarëve të tij ministra, pa asnjë lloj identiteti dhe personaliteti burrëror, nuk është llogaritur asnjëherë, pra gjithmonë në qoftë se minatorët e mjerë ndodhen në këto kushte, nuk është faji i tyre, por i qeverive që i kanë qeverisur deri tani dhe sindikatave që i kanë tradhtuar dhe mashtruar sistematikisht.
Z. Minator! Mëso diçka për Berishën! Nën hijen e tij, ndoshta mund të bëhesh ministër duke qenë anonim; mund të bëhesh armik dhe të persekutohesh si ish-shumë miku i tij, zoti Baze; apo të përfundosh në ndonjë aksident automobolistik si i ndjeri z.Trebicka, çka është njësoj si të jetosh pa status, pasi me siguri përsëri ke për të vdekur. Kujt mendon ti se do t’i bëhet vonë? Berishës, ministrit Bode, apo ndonjë shërbëtori tjetër të oborrit qeveritar? Budalla, asnjeriut!
Të kthehemi te Statusi i Minatorit. Pavarësisht mënyrës jo fort komode të paraqitjes së këtij projektligji, pavarësisht se për të nuk ishte përpjekur njeri që të bëhej më parë një lobing parlamentar, pavarësisht se ndjeva se kjo nismë dukej edhe si një orvatje për të fituar simpatinë e minatorëve, ndoshta nesër për të marrë edhe votat e tyre, e pafalshme ishte ndërhyrja cinike e Bodes, i cili me një egërsi tipike, duke mos qenë i aftë të hidhte poshtë ligjin me ndonjë argument ligjor apo moral, masakroi me kartonat e maxhorancës një grup të tërë shoqëror, që, në rastin më të mirë, shumë-shumë rrallë, mezi arrin të gëzojë disa muaj pension.
Ky ishte një mesazh i qartë për minatorët trima apo të tulatur, familjet e tyre, fqinjët; ishte një rast për të mësuar se nuk është e lehtë për të fituar të drejta nga lozhat apo sallat e Kuvendit; por ato duhet të merren me forcë nga sheshet, me protesta dhe greva.
Tashmë ka ardhur koha që të gjithë të marrim në dorë fatin tonë, të përzëmë nga pushteti qeverinë më të korruptuar, të shporrim nga qeverisja armiqtë e minatorëve: Berishëra, Rulëra, Pollëra dhe pa diskutim ministrin Bode me shokë. Në zgjedhjet që po vijnë, votat tona do të jenë për statusin tonë; do të jenë për familjet tona. Fushata ka filluar dhe e majta progresiste, e majta e politikës, duhet të garantojë kërkesat tona të ligjshme dhe të drejta. Duhet të respektojë vuajtjen dhe sakrificën tonë që të marrë votën kësaj radhe.
O miq! Me 150.000 – 200.000 votat tona ne, jo vetëm përmbysim qeverinë që nuk do minatorët, qeverinë e Berishës, por pa diskutim sigurojmë statusin tonë, pra më të voglën gjë që i kërkuam kësaj palo qeverie, vetëm një minipension për mbijetesë. Mallkimi ynë nga shpirti qoftë për ju që na përdorët, që na gënjyet, na torturuat dhe përfundimisht, me gojën e ministrit Bode, na sikterrisët aty ku shumë prej nesh nuk donin të shkonin. Me votat tuaja të fëlliqura kundër statusit tonë, ju tallët votat tona; ju qeshët me fatkeqësitë tona; ju përmorët mbi të drejtat tona. Ju e bëtë këtë se nuk keni cipë dhe asnjë pikë yndyrë në qenien tuaj.
Turp,turp, turp! Një qind herë TURP!
Zgjedhjet, për fatin tonë të mire, janë tashmë shumë afër. Ne nuk do të durojmë që në pushtet të vijnë përsëri armiqtë e minatorëve; ne nuk do të dëgjojmë sindikatat e shitura dhe tradhtare; ne do të marrim pjesë shumë aktive në këtë proces ndryshimi dhe me siguri që, kur të fitojmë, jo vetëm do të lirohemi shpirtërisht, por së bashku do të gëzojmë statusin tonë shumë të merituar. Ne po e fillojmë ndryshimin qysh tani. Zoti Bode, mirupafshim më 29 qershor!

--------------
Autori i artikullit është drejtues i lëvizjes sindikaliste “Janar 91”

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›