Pse shpëtuan bankat?
Gjithkush sot në vendin tonë flet për krizën (janë rritur përqindjet e interesit të kredive, është ulur dukshëm fuqia blerëse e popullatës). Megjithatë, të paktë janë ata që tërheqin depozitat e tyre nga bankat. Bankat kanë rifituar drejtpeshimin, besimin e qytetarëve. Pyetja e sikletshme “a do të falimentojë banka ku kam kursimet?” tani nuk bëhet më. Të gjitha bankat janë të sigurta dhe kjo është e vërtetë si drita e diellit. Po pse? Sepse bankat janë shpëtuar në botën perëndimore, prandaj dhe filialet e tyre janë po aq të sigurta edhe tek ne. SHBA-të ndërhynë me një paketë ndihme prej 700 miliardë dollarësh, duke siguruar para të thata për bankat në nevojë. Pesëmbëdhjetë shtetet e eurozonës dhe Britania e Madhe vendosën 2.3 trilionë (mijë miliardë) dollarë në formë garancish dhe ndihmë emergjence për të ndihmuar bankat, duke shtetëzuar disa prej tyre. Edhe pse bankat ishin zanafilla e krizës dhe investimet “toksike” (helmuese) të bankave investuese sollën gjëmën, sërish SHBA dhe vendet evropianoperëndimore kuptuan se po të linin të binin bankat një nga një, kriza do të gëlltiste të gjitha ekonomitë e zhvilluara. Po të liheshin bankat në grykësinë e tyre të investimeve virtuale, do të na kishin tërhequr të gjithëve në greminë. Përpjekje të koordinuara mes vendeve drejtuese të Azisë dhe Evropës po bëhen për të ravijëzuar një kornizë e platformë globale që të përballojë problemet e krizës financiare në shkallë botërore. Por tashmë që kriza ka shfaqur dukshëm efektet ngjitëse në vendet në zhvillim, pyetja shtrohet kush do t’i ndihmojë këto vende? Vendet e industrializuara janë të zëna me problemet e tyre, ndërsa bilancet e dobëta dhe rezervat e kufizuara valutore të mjaft prej tyre të shoqëruara me qeveri pa përvojë nuk ua lejojnë dot këtë luks. Viktima të një “ndëshkimi” të katërfishtë, sikurse rënia e shpejtë e çmimeve të lëndëve të para (kryesisht për eksporte kyçe), zvogëlimi i kërkesës botërore, pakësimi i ndjeshëm i dërgesave/remitancave të emigrantëve, dhe sidomos largimi masiv i kapitalit të huaj, shumica e vendeve në zhvillim do jenë në kërkim të masave e paketave shpëtuese anti-krizë. Po ne? Ne kemi një paketë të jashtëzakonshme shpëtuese dhe kjo paketë e ka një emër: prodhimi shqiptar. Prodhimi bujqësor patjetër do të shtohet gjatë vitit 2009. Qeveria duhet të japë subvencione të forta për të nxitur bujqit të mbjellin. Duhet rritur prodhimi i ullirit dhe vajit të ullirit, i vreshtave, e pemëtarisë në tërësi. Shpresohet që gjithashtu prodhimi i industrisë së lehtë përpunuese të lëndëve bujqësore e blegtorale do të rritet. Nga ana tjetër, është mirë që qeveria po mendon që disa qindra milionë euro të të ardhurave nga privatizimet e mëdha (shitja e kompanisë shpërndarëse të energjisë OSSH, shitja e INSIG etj.) t’i ketë si kontingjencë (fond rezervë) për të përballuar krizën. Mirëpo, sërish, këto para nuk do të mjaftonin. Trysninë më të madhe do ta ndjejnë qytetaret dhe bizneset nga gjysma e dytë e vitit 2009. Sidomos linjat e tregtimit me pakicë nëpër supermerkato. Ato po shtrihen gjerësisht në qytetet tona të mëdha dhe deri tani kanë qenë shumë fitimprurëse. Mirëpo rënia e thekshme e kërkesës konsumatore (me fjalë të tjera, e fuqisë blerëse të familjeve të mesme shqiptare) gjatë 2009-s do të jetë një goditje për to. Qeveria duhet t’i qëndrojë pranë bizneseve, sidomos shoqatave përfaqësuese të tyre (Dhomave të Tregtisë, shoqatave të investitorëve etj.). Ndoshta do të ishte me vlerë një strategji e plan veprimi kundër krizës. Qeveria deri tani justifikohet se nuk e ka një të tillë, pse ndryshe do të ngjallte panik tek qytetarët dhe pastaj do t’i merrte lumi depozitat nëpër banka. Por të paktën të ketë një plan të fshehtë anti-krizë, të gatshëm për ta zbatuar në rast se pasojat e krizës do të rëndonin bindshëm Shqipërinë. Qeveria dhe ekspertët e saj, në bashkëpunim me bankën tonë qendrore, mund të kishin madje edhe disa plane-variante shpëtimi apo zbutjeje të krizës, në varësi të intensitetit të goditjeve të saj. Vendi ynë deri tani nuk ka asnjë eksperiencë apo rast të goditjeve nga krizat financiare dhe mungesa e dijeve te biznesit mund të jetë fatale për disa segmente të ekonomisë sonë. Prandaj do të ishte mirë të krijohej një grup pune për përballimin e krizës pranë Ministrisë së Financave, edhe në fshehtësi, për të mos ngjallur panik. Ndoshta do të ishte sërish në dobi të vendit nëse ministri ynë i Financave, ai i Ekonomisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë të mblidheshin në një konsultë të përbashkët, apo krijonin një bërthamë për veprim apo shkëmbim idesh për të përballuar krizën.