Pukë, mbetet e vështirë lëvizja në rrugë
Ndonëse reshjet e dëborës kanë pushuar prej tri ditësh, situata në rrethin e Pukës vijon të jetë problematike. Në Qafën e Malit trashësia e borës ka shkuar në 150 centimetra, ndërsa edhe qarkullimi në rrugët e kësaj zone paraqet vështirësi për automjetet. Situatë e njëjtë edhe në segmentin rrugor Qafë Mali - Fierzë, ku rruga përgjatë gjithë gjatësisë së saj është thuajse e pakalueshme. Nga kryqëzimi i rrugës së Fierzës deri në Qafë-Shllak firma e cila ka marrë përsipër mirëmbajtjen e këtij segmenti përveç pastrimit nga dëbora nuk ka bërë hedhjen e kripës dhe skories. Si pasojë e reshjeve të borës vazhdojnë të jenë të bllokuar fshatrat: Kokdodë, Buxhon, Gralisht, Porav, Miliska, Arst, Mzi, Mërtur, Berishë, Levosh dhe Sapaç. Të izoluar vazhdojnë të jenë edhe fshatrat Tuç, Srriqe, Armiraj dhe Orosh. Në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës kanë qenë efektivët e policisë rrugore, të cilët veç ndihmës që u japin makinave të bllokuara, këshillojnë drejtuesit e automjeteve të mos lëvizin pa zinxhirë.