Qeveria dërgon mjete për të hapur rrugët, por nuk ka karburant
Vendimi i qeverisë për të vendosur automjete pastruese të Forcave të Armatosura në dispozicion të akseve rrugore problematike ka bërë që dy automjete të tilla të vihen në dispozicion të aksit nacional Bulqizë-Maqellarë dhe atij Ura e Çerenecit-Ostren-Trebisht. Dy fadromat e ushtrisë janë parë të vijnë në qytetin e Bulqizës pasditen e së premtes, por edhe dje ata nuk kanë filluar punë, duke mbetur të parkuara në mjediset para komisariatit të policisë. Burime të gazetës bëjnë të ditur se fadromët e ushtrisë nuk kanë nisur ende punën për mungesë karburanti. Duhet që strukturat e njësive vendore në Bulqizë dhe Dibër të lëvrojnë fonde për naftë për këto mjete. Por komunat nga ana e tyre ankohen për mungesë fondesh, që nuk i disponojnë për t‘i vënë në shërbim të zhbllokimit të rrugëve. Ndërkohë, gjendja e akseve rrugore vazhdon të jetë e rënduar, sidomos pas reshjeve të ditës së enjte që shtuan edhe rreth 20 centimetra të tjera dëborë. Kështu, përveç Lurës, që vazhdon të jetë tërësisht e izoluar, edhe komuna si Selishta, Kalaja e Dodës, Ostreni, Trebishti, Xibri, Macukulli etj., vazhdojnë të jenë në gjendje të rënduar dhe asnjë nga fshatrat e tyre nuk lidhet me qendrat e komunave. Komunat nga ana e tyre, vazhdojnë të ankohen për mungesë dhe vonesë të ardhjes së fondeve të emergjencës për ta nga qeveria. Në këtë situatë të rënduar mbetet e pashpjegueshme indiferenca e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve Dibër, e cila për asnjë moment prej tetë ditësh nuk është parë të impenjohet qoftë edhe për të hedhur skorie dhe kripë në rrugë.