E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna e zezë, Tatimet 4.1 milionë lekë gjoba për 411 punonjës

Sektori Task-Forcë i Policisë Tatimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve zhvilloi ditët e fundit një kontroll me objekt: “verifikim i punonjësve të padeklaruar në organin tatimor”, “verifikim i subjekte të paregjistruara në organin tatimor”, “konfiskim të mallrave pa pullë akcize”, “sekuestrime për mosdokumentim malli”, “gjoba për TVSH” në subjektet që zhvillojnë aktivitet në qytetet Durrës (Plazh), Fier, Vlorë, Pogradec, Korçë, Devoll, Shkodër, Velipojë, Laç, Lezhë, Sarandë, Himarë, Delvinë dhe Gjirokastër. Aksioni kishte qëllim kontrollin në regjistrimin e bizneseve pranë organeve tatimore dhe si deklarimin e verifikimin e numrit të punonjësve të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të shmangur punën e zezë. Gjatë këtij aksioni u kontrolluan gjithsej 378 subjekte, nga të cilat 15 subjekte u bllokuan për mosregjistrim në organin tatimor. Janë vendosur 52 gjoba me vlerë 4.111.000 lekë për mosregjistrim të 411 punonjësve në sigurimet shoqërore. Janë bllokuar 19 leje qarkullimi për mosregjistrim në organin tatimor. Janë konfiskuar 503 copë paketa cigare të papajisura me pullë akcize. Janë kryer 7 sekuestrime të ndryshme për mosdokumentim malli, si dhe janë vendosur 7 gjoba me vlerë 470.000 lekë për TVSH. Durrësi rezulton qyteti me më shumë subjekte të kontrolluara. Vetëm në plazhin e Durrësit janë kontrolluar 125 subjekte, nga të cilat 69 kontrolle janë kryer në transport dhe 56 kontrolle janë kryer në vendbiznes për regjistrimin në kontrollin tatimor. Në këtë qytet janë vendosur 10 gjoba me vlerë 470.000 lekë për mosregjistrim të punonjësve në sigurimet shoqërore. Në qytetet e Korçës dhe të Pogradecit, 7 gjoba për mosregjistrim të punonjësve në sigurimet shoqërore. Të dyja gjobat kanë pasur një vlerë prej 110.000 lekë dhe 360.000 lekësh. Lezha ishte dhe qyteti që kishte numrin më të madh të punonjësve të padeklaruar, me një shifër prej 108 vetash. Më pas vinte Fieri me 79 punonjës të padeklaruar, ndërsa në qytetin e Vlorës ky numër arrinte në 69 punonjës të padeklaruar. Në Vlorë janë kryer 3 sekuestrime për mosdokumentim malli: 30 kg kafe. Në qytetin e Sarandës janë konfiskuar 417 paketa cigaresh, ndërsa në Shkodër janë mbajtur 3 procesverbale dhe janë konfiskuar 86 paketa cigare. Task-Forcë në luftë kundër korrupsionit bllokoi edhe subjekte të ndryshme në disa qytete të Shqipërisë për mosregjistrim në organin tatimor. Në qytetin e Shkodrës organet tatimore bllokuan 5 subjekte për mosregjistrim në organet tatimore. Ky fenomen u evidentua edhe në qytetin e Pogradecit, me një shifër prej 3 subjektesh të paregjistruara, në qytetin e Gjirokastrës me 2 subjekte të paregjistruara, si dhe në qytetet e Korçës, Lezhës, Shëngjinit, Himarës, me nga 1 subjekt të paregjistruar në organin tatimor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›