E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Punësimi, prioriteti i alternativës që përfaqësoj”

15/06/2009  Meta tur takimesh në qarkun e Elbasanit

ELBASAN-Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar një sërë takimesh elektorale në qarkun e Elbasanit. I ndjekur nga kandidatë të këtij qarku Meta ka shkelur për dy ditë disa zona duke përfshirë Belshi, Shezën, qytetin e Peqinit, në një nga lagjet e Elbasanit, Përrenjas, Cërrik për ta mbyllur në Gramsh. Në axhendën e ngjeshur kreu i LSI ka zhvilluar veç mitingjeve dhe takime me banorët e zonës. Ai e ka cilësuar alternativën e LSI si alternativën më të mirë për të gjithë duke prezantuar edhe programin e LSI në shërbim të punësimit. Meta tha se programi i LSI-së është i vetmi program realist e tokësor që zgjidh problemin e papunësisë në katër vitet e ardhshme. Teksa është ndalur në lagjen më të vështirë të Elbasanit ku jeton një komunitet i madh rom, kreu i LSI ka premtuar se zhdukja e varfërisë dhe urbanizimi i këtyre zonave do të jenë objektiv themelor që do të gjejnë zgjidhje. Po kështu në ndalesën e bërë në Përrenjas, Meta është ndalur në programin e LSI-së për bujqësinë, në rehabilitimin e infrastrukturës bujqësore dhe subvencionimin e imputeve bujqësore që do t’i japin një zhvillim të madh bujqësisë. Në ndalesën në Cërrik ai nuk kish sesi të mos përmende numrin e madh të të papunëve që ka kjo zonë, dhe varfërinë e madhe që ka përfshirë këtë qytezë të harruar. “Ne, tha Meta, do të jemi pranë jush dhe do të vëmë në zbatim planet tona të punësimit nëpërmjet zhvillimit të sipërmarrjeve dhe fasonëve". Gramshi ka qenë edhe mbyllja e turit të Metës i ndjekur nga kandidatët e LSI-së për qarkun e Elbasanit si Bujar Kllogjeri, Pjerin Xhuvani, Enver Roshi dhe të tjerë që pretendojnë të marrin vota në qarkun e Elbasanit. Në mitingun përmbyllës Meta ka thënë se politika e madhe i ka harruar këto zona dhe se LSI do t’i kthejë dinjitetin e munguar këtyre zonave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›