E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha miting në Tropojë

Tropojë -Mijëra tropojanë kanë dalë para pak minutash në shesh, duke pritur kryeministrin Sali Berisha, i rikthyer në vendlindje pas 12 vitesh mungesë. Në fjalën e mbajtur në sheshin e Bajram Currit, Berisha u ka bërë të gjithëve thirrje që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit, për ta bërë Tropojën evropiane.

“Ju them socialistëve të Tropojës, ju them që më 28 qershor le të votojnë për Tropojën evropiane, për Shqipërinë Evropiane. Ju siguroj se respekti i Sali Berishës për ta, është shumë më i madh se ai i Edi Ramës”-theksoi Berisha. Mitingu elektoral është shoqëruar edhe me një koncert festiv, ku të ftuar ishin këngëtarë të njohur.

Kryeministri u kujtoi banorëve se "Malësia e Gjakovës është vendi ku ka lindur dhe është rritur dhe kjo mjafton për ta dashur atë edhe sikur qindra jetë të kesh”.

Por, vijoi Kryeministri, për mua Malësia e Gjakovës është shumë më tepër se kaq. "Malësia e Gjakovës është vendi i universitetit tim të të parë të fëmijërisë time të hershme, i universitetit në të cilin mësova dijen e të gjitha dijeve, mësimin e të gjitha mësimeve, universiteti që më mësoi se dashuria për vendin dhe kombin është dashuria e të gjitha dashurive, se kjo dashuri është burimi më i fuqishëm, gura e pashtershme e frymëzimit të fuqisë së njeriut, është sekreti i pamposhtmërisë së tij".

Kreu i qeverisë u kujtoi qytetarëve të Tropojës se “librat e universitetit tim të fëmijërisë në Tropojë nuk ishin të shkruajtura në letra, por ishin të rishkruara në legjenda, në ninulla, në shpërngulje masive nga 1870 në 1998. Ato ishin të shkruara në sakrificat mbinjerëzore tuajat për liri dhe dinjitet kombëtar, në përpjekjet tuaja madhore për të mbetur të lirë në trojet tuaja”.

Duke iu referuar periudhës 1870-1911, Kryeministri nënvizoi se "ju ishit djepi më i fuqishëm i kryengritjeve të mëdha të Kosovës, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë, por në një padrejtësi shkëputën Tropojën nga Kosova, Kosovën nga Shqipëria".

“Përulem me nderimin më të thellë para jush, para qëndresës suaj, para mbështetjes suaj, para kontributit tuaj në historinë e këtij vendi dhe kombi”, iu drejtua Kryeministri disa mijëra qytetarëve të pranishëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›