Shqipëria merr çmim nga OKB-ja
Organizata e Kombeve të Bashkuara, Departamenti për çështjet Ekonomike dhe Sociale (UNDESA) i ka akorduar Agjencisë Shqiptare të Prokurimit Publik çmimin e vitit 2010 të shërbimit publik në kategorinë e përmirësimit të transparencës, përgjegjësisë dhe gatishmërisë në shërbimin publik. çmimi “UN Public Service Award” është më prestigjiozi që OKB-ja jep për vlerësimin e ekselencës në shërbimin publik. Që nga viti 2003, kur Asambleja e Përgjithshme caktoi 23 qershorin si ditë të shërbimit publik, ky çmim jepet në një ceremoni të veçantë. Këtë vit, për herë të parë ceremonia u zhvillua në Barcelonë, Spanjë. Ka çmim të parë e të dytë, të ndarë sipas 5 rajoneve të botës. Këtë vit, në kategorinë e parë (përmirësimi i transparencës, llogaridhënies dhe reagueshmërisë) për rajonin Europë dhe Amerikë e Veriut, çmimin e parë e mori Gjermania dhe të dytin Shqipëria, Agjencia e Prokurimit Publik me motivacionin se u bë i pari vend në botë që zhvilloi një sistem të detyrueshëm elektronik prokurimi për të gjithë prokurimet e sektorit publik. Sipas Ministrisë së Inovacioneve, në vitin 2009 Shqipëria u bë vendi i parë në botë që realizoi një sistem prokurimi elektronik të detyrueshëm për të gjitha prokurimet e sektorit publik mbi pragun e 3000 eurove. “Ky është një vlerësim shumë i madh, por edhe një detyrim shumë i madh”, tha Kryeministri.
#