Vrau për pronën, arrestohet 35-vjeçari
LUSHNJE - Arrestohet një ditë pasi kreu vrasje 35-vjeçari Luftar Sharka nga fshati Hysgjokaj i Lushnjës. Sipas policisë, Sharka u prangos ndërsa ishte strehuar në një banesë në një fshat të Peqinit. Blutë kishin siguruar informacione në rrugë operative për 35-vjeçarin që vrau bashkëfshatarin e tij, Ilir Leka, për një dele. Pas ndalimit, në komisariatin e Lushnjës, ai ka pranuar veprën penale, por duke mohuar ta ketë kryer krimin me paramendim. Ai ka deponuar para grupit të hetimit se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Tashmë mbi Sharkën rëndojnë akuzat e “vrasjes me dashje”, “shkatërrimit të pronës së tjetrit” dhe “mbajtjes së armëve të ftohta”. Me krimin që ai kreu për motive krejt banale la në rrugë dy fëmijët jetimë të viktimës. Mësohet se në operacion për lokalizimin e vendosjes dhe ndalimin e tij u nisën grupe të posaçme të Komisariatit të Lushnjës dhe të Fierit, të cilët kryesoheshin nga vetë kreu i policisë, Shemsi Premçi. Sherri mes dy të rinjve bashkëfshatarë kishte disa kohë që kishte nisur, por dita e enjte ishte fatale. Konflikti mes Sharkës dhe Lekës erdhi pasi bagëtitë në pronësi të familjes Sharka kullosnin pa leje çdo ditë në tokat e mbjella, të cilat ishin në pronësi të familjes Leka. Gjithmonë Leka i kërkonte të largohej nga tokat e tij por Sharka vijonte t’i shkatërronte pronën, derisa kjo situatë degjeneroi dhe solli një viktimë. m.r