E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënohet rekord, Qendra e Gjakut, dhurime me tepricë

Ditën e shpërthimit të flakëve në Gërdec, Qendra e Gjakut ka thyer rekordin e dhurimeve. Brenda një dite ka marrë aq njësi gjaku sa numri i dhurimeve brenda një viti. Rekordin e kanë thyer qytetarët shqiptarë, të cilët të prekur nga tragjedia, i janë përgjigjur thirrjes për gjak për të ndihmuar bashkëkombësit e tyre. Në ditën kur në spital u paraqitën më shumë se 244 të plagosur, në qendrat e gjakut në Tiranë janë mbledhur 800 njësi gjaku. Ndërsa më shumë se 1 mijë të tjera kanë ardhur nga vendet fqinje. Qytetarë të tjerë kanë ardhur për të dhuruar gjak ditët në vazhdim, por ata janë kthyer mbrapsht, sepse rezervat e mbledhura nuk kishin kushte për t‘u ruajtur më dhe njëkohësisht kërkesat për gjak ishin shumë më pak krahasuar me sasinë e dhuruar. Ministri i Shëndetësisë, në një takim të zhvilluar dje në Qendrën e Gjakut, ka falënderuar dy grupe. Të gjithë ata që dhuruan gjak dhe mjekët të cilët punuan me ditë të tëra për të përballuar fluksin e pacientëve të lënduar nga tragjedia në fshatin Gërdec. "Falënderoj personelin mjekësor për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në menaxhimin e situatës që u krijua pas ngjarjes së 15 marsit në Gërdec", tha ministri. Ai vijoi duke deklaruar se "në ditët kritike të tragjedisë, ku qindra qytetarë kishin nevojë për gjak, ju dëshmuat disa nga vlerat më të larta të sistemit tonë shëndetësor, përgjegjësi, përkushtim, profesionalizëm, humanizëm dhe aftësi menaxhuese të lavdërueshme", tha ministri Ndoka. Sipas tij, nisur nga disa kushtet teknike të kohës së ruajtjes dhe përdorimit të gjakut, e cila është 42 ditë nga ajo e mbledhjes, u mendua të menaxhohej më mirë mbledhja e gjakut, në përputhje me programin e nevojave aktuale. Dhurimet vullnetare të gjakut në rang vendi, për të plagosurit nga shpërthimi në Gërdec, shkuan deri në rreth 800 njësi gjaku, ndërsa vendi është ndihmuar edhe nga Kosova, Italia dhe Greqia, të cilat kanë dhuruar rreth 1200 njësi gjaku.
SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›