E Diel, 1 Nëntor 2026

Puset; Ndoten ujërat nëntokësore



Tendenca e hapjes së puseve publike dhe private, në zonën ujëmbajtëse të qarkut të Tiranës, ka dëmtuar ujërat nëntokësore, duke ndikuar në rritjen e shkallës së rrezikshmërisë së ndotjes së tyre. "Zaptimi i zonave të sigurisë së pus-shpimeve ekzistues sjell pasoja të rënda dhe të pakorrigjueshme, nëse nuk ndërhyhet në kohë", - tha të enjten në një prononcim drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj. Sipas tij, shenjat e para tashmë janë dhënë në pus-shpimet nr. 1, nr. 2 dhe nr. 3, tek Pishinat, Kroi i Shëngjinit (në periferi të ish-Fushës së Aviacionit) stacionet e Bukës, Çokollatës dhe Pemës, që janë të kompromentuara me ndotje kimiko-bakteriologjike në rritje. "Duhet punuar seriozisht për t’i zëvendësuar me burime të tjera uji dhe me parametra brenda standardeve shtetërore", - tha Gecaj, sipas të cilit, ASHR-ja ka bërë me dije situatën pranë Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe organeve të tjera shtetërore. Sektori i Higjienës Publike të ASHR-së ka ndjekur gjithashtu problemet e kanalizimeve të ujërave të zeza. "Mjaft të përmendim rastet jo të rralla të inondimit të bodrumeve apo të kateve të nëndheshëm, përfshirë edhe ish-vendstrehimet (rreth 580 të tillë), që bëhen burime infeksionesh apo cenojnë sistemet e ujit të pijshëm etj", - tha Gecaj, sipas të cilit, këto probleme kërkojnë zgjidhje nga institucionet përkatëse projektuese dhe miratuese.

Kukës

Kabinete informatike në 35 shkolla

Të paktën 35 shkolla të arsimit parauniversitar, nga 57 të tilla që ka rrethi i Kukësit, janë pajisur me kabinete të informatikës në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare për shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat e vendit. “Kabinetet e informatikës nuk janë ngritur vetëm në shkollat e vogla, me numër të kufizuar nxënësish”, - tha dje drejtori rajonal i arsimit, Ibsen Elezi, sipas të cilit, “po punohet që edhe ato të pajisen me një numër të kufizuar kompjuterash, me synimin që brenda këtij viti asnjë shkollë të mos mbetet pa kabinet informatike”. Sipas Elezit, për përdorimin e kompjuterave dhe internetit janë organizuar kurse trajnimi afatshkurtra me mësuesit përgjegjës. Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e KESH-it është treguar e gatshme të furnizojë me energji pa ndërprerje shkollat e rrethit, në mënyrë që procesi mësimor në kabinetet e informatikës të mos cenohet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›