E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimi i keq, shtohen fëmijët në spitalin e Beratit

Situata në spitalin e Beratit është rënduar sërish dje, ku numri i fëmijëve të sëmurë ka arritur në 65. 

Mjekët pohuan se nga 50 fëmijë që u shtruan dy ditë më parë, dje këtij numri iu shtuan edhe 15 të tjerë. Ata sqaruan se, këtu nuk llogariten fëmijët që pasi marrin ndihmën e parë largohen për në shtëpitë e tyre. Sipas mjekëve, simptomat janë të njëjta, temperaturë, diarre dhe të vjella. Mësohet se shumica e të miturve të sëmurë janë të emigrantëve, të cilët kanë ardhur për pushime në Atdhe nga Italia, Greqia dhe shtete të tjera. Për këtë situatë të krijuar, mjekët thonë se fëmijët e emigrantëve sëmuren pasi bien në kontakt me ujin e ndotur, ushqimet e cilësisë së dobët, e madje në disa raste të skaduara, si dhe kushtet e higjienës tepër të këqija nëpër fshatra. Vladimir Kumbaraku, i cili njihet si specialisti më i mirë në pediatrinë e Beratit renditi shkaqet e mësipërme për këtë gjendje të krijuar. Ai u shpreh se, "Fëmijët shqiptarë janë më të kequshqyer. Organizmi i tyre është mësuar edhe me ushqime të cilësisë së dobët. Por të njëjtin ushqim nuk e pranon organizmi i një fëmije që është rritur në shtete ku standardet e ushqimeve janë shumë të mira", u shpreh mjeku.               d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›