E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti si spektakël

Pesë shtetas shqiptarë u vranë dje dhe disa të tjerë u plagosën gjatë një aksioni policie për të kapur një ndër 10 shqiptarët më të kërkuar në vend, duke vijuar bilancin tragjik të viktimave të shumta të ditëve dhe muajve të shkuar.


Masakra e djeshme, vërtet u finalizua me kapjen e të shumëkërkuarit nga Policia e Shtetit brenda dhe jashtë vendit, por a mund të ishin kursyer jetët e katër efektivëve të policisë?


Aksioni i djeshëm i policisë ishte një sipërmarrje e madhe, që nuk mund ta mbanin supet e atyre pak policëve, që kishin si armën më të madhe me vete realizmin e një detyre të vështirë: kapjen e një personi me precedentë të shumtë penalë, që ishte arratisur në mënyrë spektakolare nga Gjykata e Tiranës gjashtë vite më parë dhe që prej asaj kohe i bënte "zbor" policisë.


Pas ngjarjes së rëndë, publiku pyeste përse aksioni i kapjes së këtij të shumëkërkuari, duhej zbatuar me të njëjtën mënyrë si ndalohen nga policia ata që bëjnë ndotje akustike netëve të bregdetit; përse ky aksion shumë i rrezikshëm u bë në një kohë aspak të përshtatshme, në pikun e mesditës dhe në një vend ku janë mbledhur qindra-mijëra turistë; përse në vend që të ndodheshin në pritën e policisë, të shumëkërkuarit vunë në pritë policinë dhe madje duke patur me vete edhe radiot dhe ndoshta edhe frekuencat e policisë, që nënkupton edhe dekonspirimin e aksionit sekret.


Një analizë e hollësishme do të hedhë dritë mbi dinamikën e ngjarjeve që çuan deri te masakra e djeshme, por përfundimi tragjik i aksionit në Durrës, ngjan në shumë pika me modelin e ushtrimit të pushtetit në Shqipëri nga Kryeministri Berisha.


Ai i shpalli mbrëmë dëshmorë katër efektivët e policisë që dhanë jetën në luftë me krimin, dhe bëri shumë mirë, por ata njerëz do t'i vlenin më shumë vendit, duke jetuar në mesin e të gjallëve dhe jo në listat e dëshmorëve, nëse modeli i pushtetit që ushtrohet nga lart nuk do të konceptohej dhe të zbatohej si spektakël zhurmëmadh, gjatë të cilit, dje u bënë viktima katër policë, që do t'u mungojnë familjeve dhe shoqërisë së tyre, më parë shtetas të pafajshëm që u është marrë jeta nga spektakli qeveritar dhe të pafajshëm të tjerë që do t'i shtohen listës.


Sepse, fatkeqësisht, pushteti në Shqipëri nuk po ushtrohet për të përmirësuar cilësinë e jetës së shtetasve dhe prosperitetin e vendit, por është konceptuar si një maratonë spektakolare ku stari është udhëheqësi dhe atje poshtë janë spektatorët që duhet të ndjekin show-n e tij.


Prej shtatorit 2005, e kemi përjetuar spektaklin qeveritar me shifrat e mbi 260 bandave që demek janë asgjësuar gjatë katër viteve dhe bandat dje bënë masakër në mes të kryeqytetit turistik të vendit. Spektakël me rrugët e shtruara gjatë fushatës elektorale, pa sinjalistikë dhe ndriçim, për të rrëmbyer votat e 28 qershorit, ku bëhen copë e çikë nëpër aksidente tragjike anembanë rrugëve të vendit dhjetëra e dhjetëra udhëtarë, me rrugë dhe tunele ende të parregulluara, por që hapen për arsye elektorale dhe falë Zotit, ende aty nuk ka ndonjë dëshmor.


Spektakël me të ardhmen e ndritur turistike të bregdetit shqiptar, kur këtë verë pronarët e mjediseve hotelerike, si në Vlorë, apo Durrës, po përjetojnë krizën e ikjes turistëve, sepse për të katërtën verë të Berishës si Kryeministër, sërish nuk ka as drita, as ujë. Spektakël me konfiskimin e tokës bujqësore të atyre që nuk e punojnë, kur bujqësia shqiptare është më e diskriminuara nga qeveria, sepse nuk ka ujë për vaditje; plehrat kimikë, farërat, kultivimi dhe nafta për makineritë, kushtojnë sa frëngu pulën dhe bujqve të shkretë më mirë u leverdis të punojnë tokat e grekut e të marrin ndonjë lek, se sa të humbasin në tokën e tyre, ku prodhimet u kalben anës arës, sepse në tregje shkojnë me çmime më të lira prodhimet e importit.


Spektakël në plotësimin e kushteve për të përfituar liberalizimin e vizave, duke përdorur lobimet personale pranë burokratëve të Brukselit, në vend të përmbushjes së pikave të "hartës së rrugës" që Shqipëria duhet të plotësojë, që janë lufta kundër krimit, korrupsionit apo ruajtja dhe menaxhimi i kufijve.


Spektakël në menaxhimin e krizës financiare që po rrënon Shqipërinë, e cila, në kohën kur vende të tjera po shohin përmirësime ekonomike, po e ndjen mbi shpatulla me zhvlerësim të lekut, rritje të papunësisë, ulje të prodhimit dhe të eksporteve, talljen qeveritare dhe mosdëshirën e saj për ta përballuar atë si shumë qeveri të tjera të përgjegjshme në rajon e më gjerë.


Fundjavën e shkuar, stari i spektaklit qeveritar vendosi rekordin personal, duke pluskuar në ujin e Jonit, me shifra që të bëjnë të ndjehesh ligsht. Jo për pafuqinë e tij njerëzore, por për pafuqinë tonë për të mos qenë edhe më tutje spektatorë të viktimizuar të qeverisjes-spektakël të Shqipërisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›