E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush jemi ne?

"... Ka njerëz, të tillë që, me fjalët e tyre shkaktojnë armiqësinë e atyre që e duan atë, ose të atyre prej të cilëve ata varen...Ka të ngjarë se njerëz të tillë i dëgjojnë këshillat që ua ka dhënë ndonjë armik që të sillen në mënyrë më të dëmshme për ta..."


Ky konstatim, si zakonisht gjenial i Erih Fromit, m'u kujtua teksa përpiqesha të gjeja shpjegimin për implikimin e disa shqiptarëve në grupe politike subversive, terroriste, që planifikojnë akte terroriste brenda SHBA-së, shtetit që në historinë e gjithëmbarshme të popullit shqiptar, ka mbështet maksimalisht mbijetesën e shqiptarëve në një kontekst hapësinor, vazhdimisht armiqësor ndaj interesave minimaliste të shqiptarëve.


Si mund të shpjegohet motivi i një shqiptari të ri 24 vjeç, nga Gjilani, Hysen Sherifit, që të anëtarësohet në organizata terroriste që veprojnë kundër një shteti, që atij personalisht i ka dhënë strehim dhe siguri dhe vendlindjes së tij, mundësinë që të bëhet shtet?!


E kam shumë vështirë të jap shpjegime racionale për sjellje kaq mosmirënjohëse të individëve shqiptarë, më duhet shumë mund që ta kuptoj shtratin kulturor, moral, politik, kombëtar dhe mikroshoqëror që prodhon individë që nuk janë në gjendje të vetëdijesohen për veprimet e tyre që dëmtojnë, mbase në mënyrë të pariparueshme, interesin kombëtar; e kam të pamundur që nga këndi im të kuptoj mënyrën, logjikën e selektimit të rëndësisë, të prioriteteve që kanë të bëjnë me interesin kombëtar; më krijon shumë dilema dhe dyshime teksa përpiqem të kuptoj vlerësimin se çka mund të jetë më e rëndësishme për pjesëtarët e një kombi, në këtë kohë kur merren vendime për fatin e tij, për një periudhë të gjatë kohore; e kam përfundimisht tepër të rëndë të jap përgjigje se kush jemi ne, kur babai nuk e njeh të birin, fqinji-fqinjin, shoku-shokun?!


Ka të tillë që simptomat e kësaj natyre, kur njerëzit janë tëhuajsuar me njëri-tjetrin, paralajmërojnë apokalipsin, ditën Gjyqit të Fundmë.


E shikoja me dhembje shpjegimin e babait të Hysen Sherifit, i cili nuk mund të besonte, t' i shpjegonte vetvetes, se si është e mundur që djali i tij të implikohet në veprimtari kundër SHBA-së, prandaj përsëriste bindjen e tij të sinqertë se kjo është e pamundshme.


Ashtu silleshin edhe fqinjët, shokët e tij, që nuk mund t'u besonin lajmeve të tilla, por, fatkeqësisht, ato ishin të sakta, ndonëse mund të diskutohet për seriozitetin e këtyre implikimeve.


Çështja e (jo)seriozitetit të këtyre angazhimeve është mënyra më e lehtë e shpjegimit të këtij absurdi. Një mik imi nga, Tirana që jep ligjërata në disa universitete të SHBA-së, e shpjegonte këtë absurd me joseriozitetin e shqiptarëve dhe me seriozitetin tej mase të amerikanëve. Sipas tij, amerikanët janë populli më serioz, më profesional, më të përkushtuar ndaj punës që e kryejnë.


Sipas tij, amerikanët tregojnë një luajalitet religjioz ndaj shtetit të tyre, sidomos ndaj të drejtës së qytetarit për liri, që për ta ka më shumë rëndësi sesa shkelja, ngushtimi i hapësirës së saj për interesa të ndryshme, qofshin ato edhe shtetërore. Shteti është krijuar që të garantojë lirinë e njerëzve dhe jo ta ngulfatë atë.


Qytetërimi amerikan, çdo gjë, madje edhe parandalimin e akteve armiqësore, terroriste, kriminale, në përgjithësi e mat me standardin e lirisë. Kjo u pa me rastin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.


Edhe me këtë rast, ata nuk e ngushtuan hapësirën e lirisë, vlerës më të lartë të kulturës, të qytetërimit të tyre. Megjithatë, këto sulme nuk arritën që të krijojnë një histeri anti-islame në SHBA.


Krahas seriozitetit të paarritshëm të amerikanëve, miku im, njohës i mirë jo vetëm teorik, por edhe empirik i mendësisë së tyre, e spikati joseriozitetin e shqiptarëve: ata, lirshëm, pa përgjegjësi, bëjnë muhabet për dukuri shumë serioze. Ata çdo gjë e shndërrojnë në batutë.


Për ta analizuar këtë pohim, miku im e kishte lexuar aktpadinë dhe tërë procesverbalin nga gjykimi i të akuzuarve për tentativë sulmi ndaj bazës ushtarake Fort Diks, ku, çfarë ironie, ishin strehuar për një kohë të caktuar refugjatët shqiptarë nga Kosova.


Ta sulmosh bazën më të fortë amerikane, që u ofroi prehje kosovarëve, shpirtërisht dhe fizikisht të molisur, ishte ide jo vetëm skajshmërisht e pamoralshme, por edhe joserioze, një papjekuri alarmuese që, pos popullit shqiptar, askujt tjetër nuk do t'i bënte dëm.


Ngjashëm me grupin e sulmuesve ndaj bazës Fort Diks, edhe ky grupi i ri i Karolinës Veriore, ku qenka implikuar edhe gjilanasi, H. Sherifi, tregon joseriozitet fëmijëror. Së pari, qëllimi (dashkan të organizojnë akte terroriste edhe në Kosovë), pastaj përmbajtja e grupit, me individë të hunit dhe të konopit, struktura qesharake financiare (përmendet shuma prej 500$) etj.


Lajmi për implikimin e një kosovari për planifikim të akteve terroriste kundër një shteti dhe populli, që vazhdimisht e ka mbrojtur çështjen shqiptare, në mjediset shqiptare u pranua me indinjatë dhe dëshpërim, ndërkaq, në ato antishqiptare, me gëzim dhe shpresë.


Të gjitha gazetat dhe mediumet elektronike serbe, në faqet e para, si lajm të parë jepnin zbulimin e grupit terrorist, duke vënë në plan të parë emrin e gjilanasit, natyrisht shoqëruar me interpretimin e këtij akti si terrorizëm me prapavijë fundamentaliste islame.


Titujt bombastikë të gazetave, "Xhihadi deri në Kosovë", " Xhihadi në Karolinën e Veriut", "SHBA e shkatërroi grupin boshnjak", jepnin një mesazh që e paraqet Kosovën si çerdhe të terrorizmit në Evropë. Këtë pohim, gazetat serbe e vërtetojnë edhe me deklaratat e specialistëve amerikanë, si bie fjala të Gregori Koplit, presidentit për studime strategjike të Uashingtonit. Sipas tij, pjesëmarrja e një shqiptari nga Kosova në këtë grup, flet për faktin e "ndërlidhjes së lëvizjes xhihadiste me Kosovën." Ai, po ashtu, konstaton se caqet e sulmeve terroriste të grupeve nga Kosova mund të jenë interesat perëndimore, përfshi këtu edhe ato serbe.


Arrestimin e Sherifit, Kopli e interpreton si dështim të politikës së SHBA-së ndaj pavarësisë së Kosovës. Pra, një djalë, një shqiptar 24-vjeçar, krejtësisht anonim, jep shkas që analistët amerikanë të vënë në një rrafsh interesat perëndimore me ato serbe, si dhe të vlerësojnë se intervenimi amerikan kundër Serbisë, në mbrojtje të Kosovës, paska qenë dështim. Cili ideal paska qenë më sublim për këtë të ri nga Gjilani, sesa liria e popullit të tij?


Përgjigjen nuk mund ta gjejmë në dimensionin e gjykimit racional, por në teoritë antropologjike të neofrojdistëve, të formatit të Erih Fromit, që analizojnë modalitetet e mosdurimit e të të qenit individ dhe i lirë.


Shoqëria shqiptare, me vonesë ka filluar të ballafaqohet me fenomenin e lirisë individuale, me dobësimin e lidhjeve brenda mikrostrukturave shoqërore, siç është fisi apo familja.


Këtë proces të individualizimit, të shkëputjes emocionale nga relacionet familjare, institucionet shqiptare nuk e vërejnë, nuk e analizojnë, ngaqë mungon vetëdija për ekzistimin e një problemi të tillë, prandaj edhe mungojnë institutet e specializuara për dukuri të kësaj natyre.


Për shumë të rinj, sidomos për ata që s'kanë perspektivë, autoritetet e deritashme, qofshin ato familjare apo shoqërore, kanë filluar ta humbin relevancën: qëllimet, vlerat, shpjegimet, këshillat, vendimmarrjet, ofertat e tyre për këta të rinj nuk janë të mjaftueshme.


Ata kërkojnë diçka të re, më emocionuese, një mision që do t'u ngjallë ndjenjat e tyre të fjetura. Derisa zhvillohej beteja për idealet kombëtare në hapësirat e ish-Jugosllavisë, të rinjtë shqiptarë gjenin kuptimin e jetës së tyre në luftën për liri, për mbrojte të dinjitetit kombëtar, të nderit familjar dhe individual.


Pas përfundimit të këtyre proceseve, për të gjithë ata që, qoftë në mënyrë aktive apo pasive e mbështetnin dhe identifikoheshin me idealet e luftës, në shoqërinë dhe shtetin e ri nuk pat perspektivë. Një pjesë e tyre kërkuan rrugëdaljen në migrim.


Të liruar nga lidhjet, vlerat, botëkuptimet familjare, por edhe idealet kolektive, ata u gjendën në një mjedis tjetër kulturor dhe qytetërues, i huaj për të, me të cilin, për shkak të shkollimit sipërfaqësor, mungesës së informacionit dhe nevojës për vlerat e atilla kulturore, ai vështirë komunikon. Në fillim ai përjeton një tronditje qytetëruese.


Shumëçka nuk kupton, e ndjen veten të huaj, të panevojshëm, të pavlerë, inferior, të parëndësishëm, të tepërt. Askush për të nuk ka nevojë. I shkëputur nga lidhjet familjare, nga obligimet e çfarëdo lloji, ai fillon të pyesë veten "kush është", kë takon?


Për shkak të cilësisë së dobët të shkollimit të deritashëm, ai vetë nuk mund t'u japë përgjigje këtyre pyetjeve shqetësuese. Përgjigjet e deritashme kanë humbur kuptimin jo vetëm për shkak se dilemat që shfaqen janë pasojë e ndryshimit të kontekstit shoqëror, por edhe për shkak të humbjes së relevancës së autoriteteve të vjetra.


Si çdo krijesë njerëzore, ai nuk mund të pajtohet me \statusin e tij, skajshmërisht të mënjanuar (të margjinalizuar) në shoqërinë e re, prandaj ka nevojë që t'i takojë një sistemi të ri të vlerave, një autoriteti të ri, të pakontestueshëm, të dëlirë, ideal që i ofron atij të jetë pjesëtar i një kolektivi të ri që ka nevojë për të, i një misioni sublim përmasash gjigante, por që njëkohësisht i jep atij identitetin e munguar.


Fenomeni i mosdurimit të barrës së lirisë, të të qenit individ, ka ekzistuar në çdo shoqëri dhe kohë. Në lindje, në filozofinë budiste, përmes përsiatjes (meditimit) të thellë, synohet nirvana, arritja në një gjendje shpirtërore ku zhduket vetvetja, dilet nga cikli i përjetshëm i lindjes dhe vdekjes, ndërkaq, në perëndim shfaqet fenomeni i sistemeve totalitare, fashizmit dhe i komunizmit, ku, njeriu, i ballafaquar me kotësinë e të qenit individ, e këmben lirinë e tij me siguri, me përkatësi ndaj një sistemi totalitar, autoritar.


Pyetjet, për të cilat ai nuk mund të japë përgjigje, atë më nuk e mundojnë: autoriteti i ri i ka ato të gatshme. Sa më mistik, i pakapshëm, i paperceptueshëm është autoriteti, aq më shumë rritet besimi në të.


Autoriteti mistik është më i besueshëm se ai që shihet, me të cilin mund të komunikohet, të debatohet. Këta të fundit shumë shpejt profanizohen, ndërkaq, të parët gjithnjë e më shumë hyjnizohen.


Të gjithë këto mekanizma për heqje dorë nga barra e lirisë, nga individualiteti i pavlerë, gjithë atë nevojë të njeriut për të qenë pjesë e një totaliteti të përkryer, që i jep kuptim dhe vlerë jetës së tij, sot përdoren nga një lëvizje politike, që quhet "fundamentalizëm islamik". Në dallim nga lëvizjet e tjera komunitariste, krahas karakteristikave identike me ideologjitë e tjera totalitariste komunitariste, ka një veçori që e bën atë të jetë edhe më mistike.


Kësaj lëvizjeje i mungon koka. Nuk dihet kush e udhëheq atë, cilat janë premisat e saj politike dhe cili është qëllimi përfundimtar. Mungesa e një udhëheqësie konkrete, e vështirëson kundërvënien ndaj saj, kështu që fajësia i atribuohet popullatës myslimane në përgjithësi. Kjo situatë krijon një iluzion të rrezikshëm, se në skenën historike zhvillohet përplasja ndërmjet Islamit dhe Krishterimit.


Kësaj lëvizjeje, jo vetëm që i mungon udhëheqja, por edhe programi politik. Identifikimi i saj me besimin islam krijon komplikime të një natyre tjetër. Edhe pse shumica e predikuesve të besimit islam distancohen nga terrorizmi, ata, pa vetëdije, në mënyrë indirekte, implikohen në këto procese.


Këtë dukuri do ta përkufizoja si prodhim kapilar i antagonizmit fetar: ata përhapin idenë se besimi islam është, pa dilema më i përsosur, fjala e fundit e Zotit, që njëherësh do të thotë se besimet e tjera nuk janë të tilla, rrjedhimisht, edhe vlerat e sistemeve të tyre.


Ata, në këtë mënyrë kultivojnë bindje që i amplifikojnë antagonizmat fetare në nivel planetar. Theksohen dallimet në vend të pikave të përbashkëta, sajohen kode që i vizualizojnë dallimet dhe, pak nga pak, autoriteti mistik, anonim, arrin që ta polarizojë botën në miq dhe armiq.


Ata që janë të prirë të sajojnë teori komplotiste, me siguri do të vinin në përfundim se prapa kësaj lëvizjeje ekstremiste qëndrojnë të krishterët, ngaqë, deri më tani, humbës janë vetëm myslimanët.


Ata, në vend që të jetojnë në paqe, t'i shfrytëzojnë begatitë natyrore, t'i gëzohen jetës, vrasin njëri-tjetrin, i destabilizojnë shoqëritë dhe shtetet e tyre. Vetëm një lëvizje pa kokë, kapilare, mund të prodhojë gjithë këtë absurd dhe fatkeqësi dhe e kundërta, asnjë lëvizje me adresë nuk do mund të mbijetonte pa dhënë llogari për katrahurën që shkaktuan.


Ky proces është shumë i rrezikshëm për kombet shumë-fetare (multi-konfesionale), tolerante, siç është populli shqiptar. Ky proces do të bëhet edhe më i rrezikshëm, ngaqë armiqtë e popullit shqiptar, me kolonën e tyre të pestë, do t'i fryjnë këtij zjarri deri sa të krijojnë dëme të pariparueshme.


Koketimi i politikëve me fetë në shtetet me demokraci të brishtë, identifikimi i shtetit, i kombit me fenë, predikimet se një besim është më i përsosur se ai tjetri, insistimi në shenjat dalluese, humbja e karakteristikave shekullare të shteteve dhe transformimi i tyre në shtete gjysmë shekullare, gjithnjë e më shumë do ta vënë në spikamë, veçmas te popujt shumë-fetar, pyetjen "kush jemi ne?".


Përgjigjen duhet ta japë elita e një populli që do të rrezatohet nga kjo lëngatë. Semjuel Hantigtoni, librin e tij më të ri e quajti pikërisht kështu: "Kush jemi ne" ("Who are we"). Me siguri ka një arsye.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›