E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushuesit kosovarë dynden drejt Shqipërisë

Janë vënë re dje dyndje turistësh që i drejtohen bregdetit të Shqipërisë. Burime pranë doganës së Morinit në Kukës, bënë me dije se shërbimi në doganën e Vërmicës është i përqendruar vetëm në dy sportele 

KUKES - Radhë të gjata në doganën e Vërmicës. Me përmirësimin e motit, dje ka pasur dyndje të pushuesve kosovarë drejt bregdetit të Shqipërisë. Janë vënë re dje dyndje turistësh që i drejtohen bregdetit të Shqipërisë. Burime pranë doganës së Morinit në Kukës, bënë me dije se shërbimi në doganën e Vërmicës është i përqendruar vetëm në dy sportele. Kjo ka bërë që të mos përballohet fluksi i pushuesve nga Kosova. Mësohet se vetëm gjatë 48 orëve të fundit kanë kaluar mbi 5.000 mjete. Sipas burimeve të mësipërme, duhen të paktën gjashtë sportele, ashtu si vitin e kaluar, për të shmangur radhët e gjata, të cilat dje i kaluan dy kilometrat. "Jam vonuar për gati dy orë në doganën e Kosovës. Aty punohet vetëm me dy sportele, ndërsa fluksi është i madh", - u shpreh për Gazetën Ismet Krasniqi, i cili udhëtonte me familjen nga Theranda për në Durrës. Krejtësisht ndryshe paraqitet situata në doganën e Morinit në Kukës, e cila funksionon me personel të shumëfishuar dhe me gjashtë sportele, duke evituar radhët e pushuesve kosovarë. Fluksi i kalimeve është dyfishuar edhe në drejtimin Shqipëri-Kosovë, ku mijëra emigrantë që punojnë në vendet perëndimore kthehen fillimisht në Kosovë për të marrë familjen dhe më pas për t'iu drejtuar bregdetit shqiptar për të kaluar pushimet. Me hapjen dhe funksionimin e rrugës Durrës-Kukës, pritet që fluksi i pushuesve kosovarë të jetë i madh në ditët në vijim.
(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›