Putin kërkon bashkëpunim të ngushtë me Viktor Janukoviç
Kryeministri rus, Vladimir Putin përgëzoi presidentin e sapozgjedhur ukrahinas, Viktor Janukoviç dhe shprehu besimin për një bashkëpunim më të ngushtë mes Moskës dhe Kievit. Lajmi u njoftua nga agjencitë ruse të lajmeve.
Janukoviç, i cili fitoi balotazhin presidencial të 7 shkurtit ndaj kryeministres Julia Timoshenko, ka deklaruar se do të thellojë marrëdhëniet miqësore me Rusinë, pas vitesh të tëra tensioni nën presidencën e properëndimorit, Viktor Jushçenko.
Putini sugjeroi se Kremlini kërkonte që Ukraina të merrte pjesë më aktive në organizatat rajonale të dominuara nga Rusia si Komonuelthi i Shteteve të Pavarura (CIS), që dikur Jushçenkoja e kritikonte.
"Jemi të gatshëm t'u ofrojmë partnerëve tanë ukrainas punë të përbashkët në fushën e integrimit, ku Ukraina ka marrë pjesë - por në një mënyrë më pak aktive nga sa kishte njoftuar më parë'', theksoi kryeministri rus, Vladimir Putin.