E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT :Pas vdekjes së pacientes, ministri pezullon mjekët

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka urdhëruar dje pezullimin nga detyra për mjekët e urgjencës së QSUT-së, menjëherë pas denoncimit ndaj tyre të bërë nga djali dhe bashkëshorti i pacientes së vdekur dy net më parë, Drita Gixhari.
Ministria e Shëndetësisë thekson në një deklaratë lidhur me ngjarjen se mjekët janë pezulluar nga detyra deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë ndodhur dje gjatë natës në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Familjarët e pacientes që humbi jetën, kanë denoncuar në polici, komisariati nr. 4 në Tiranë, dy mjekë të urgjencës, për akuzën e mosdhënies së mjekimit të duhur me pasojë vdekjen. Gjatë ditës së djeshme kanë qenë familjarët e pacientes së vdekur në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë të cilët kanë paditur në prokurori dhe polici urgjencën e këtij spitali me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm me pasojë vdekjen. Fëmijët e shtetases Drita Gixhari kanë bërë padi penale në adresë të mjekëve të urgjencës së QSUT-së me akuzën se ata nuk kanë dhënë mjekimin e duhur për nënën e tyre. Në kallëzim thuhet se si pasojë e mosdhënies së mjekimit të duhur dhe në kohë nga mjekët e urgjencës së QSUT-së, shtetasja Drita Gixhari gjeti vdekjen. Ajo kishte mbërritur në urgjencë në gjendje të rëndë, ndërsa të afërmit që kanë qëndruar në spital, kanë konstatuar mungesën e shërbimit nga ana e mjekëve. Trupi i pajetë i pacientes është çuar në ambientet e morgut të Tiranës, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko ligjore. Sipas burimeve nga policia, do të pritet deri në përfundim të analizave, për të ndërrmarrë një hetim të hollësishëm. Në ditët në vazhdim pritet të dalë rezultati përfundimtar i analizave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›