E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, aparatura të reja për shërbimet e kirurgjive

Qeveria kineze do të ofrojë mbështetje në aparatura, materiale mjekimi dhe trajnim mjekësh

Aparaturat që përdoren në shërbimet e kirurgjive në spitalin “Nënë Tereza”, pjesa më e madhe e të cilave janë të amortizuara, do të zëvendësohen së shpejti me pajisje të reja. Kjo do të bëhet e mundur falë mbështetjes nga qeveria kineze, e cila do të ndihmojë me pajisje të teknologjisë së fundit sallat e operacionit në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”. Garancia është dhënë nga ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, Wang Junling, i cili ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në ambientet e QSUT-së. Gjatë takimit që ka zhvilluar me drejtorin e QSUT-së, Saimir Ivziku, ambasadori kinez ka vizituar ambientet e kirurgjisë në Spitalin nr.2. Aty ambasadori kinez është njohur nga afër me punën që realizojnë mjekët si dhe problemet që ata hasin gjatë punës së përditshme. Në fjalën e tij drejtori i QSUT-së ka pohuar se “Bëhet fjalë për shërbimin e kirurgjisë, i cili është një nga shërbimet më të rëndësishme dhe zë një peshë shumë të madhe në institucion. Kuptohet që zhvillimi i këtij shërbimi paraqet nevojat e veta, qoftë për mbingarkesën në pacientë, por edhe në zhvillimin e teknologjisë dhe të teknikave që përdoren sot në botë. Më konkretisht, ne i kërkuam palës kineze materiale konsumi si dhe aparatura që i përkasin fjalës së fundit të teknologjisë. Kjo pasi sot në QSUT një pjesë e madhe e aparaturave që përdorim, për arsye të kohës, janë në një gjendje të amortizuar”. Nga ana tjetër, ambasadori i Kinës, Wang Junling gjatë fjalës së tij u shpreh se “Ky është shkëmbimi i parë gjatë këtyre viteve me institucionet shëndetësore mes dy vendeve tona. Të dyja palët arritëm në përfundimin se do të kemi bashkëpunime të frytshme në fushën e shëndetësisë. Unë si ambasador jam i gatshëm që të arrijmë në përfundimin e këtyre projekteve”.

Shërbimi i kirurgjive në QSUT

Shërbimi i kirurgjive ka 450 shtretër

Çdo vit realizohen 19 400 operacione

62% e shtrimeve janë me planifikim

37% shtrimeve vijnë nëpërmjet urgjencës

Në total janë 23 mijë pacientë në QSUT

Çdo vit në QSUT hyjnë 60 mijë pacientë

2.5% e rasteve janë nën 1 vjeç

23.5% i përkasin moshës mbi 60 vjeç

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›