E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skënderbej”, aks qarkullimi për makinat

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-09-2011 13:41

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për hapjen e sheshit “Skënderbej” për automjetet dhe këmbësorët. Brenda pak ditësh Bashkia e Tiranës do të lejojë qarkullimin e automjeteve në sheshin “Skënderbej”, ndryshe nga sa parashikohej në planin belg, i cili e kishte përcaktuar këtë hapësirë si zonë vetëm për këmbësorët. Bashkia e Tiranës po intensifikon punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, për të çliruar trafikun e rënduar që krijohet në qendër të kryeqytetit. Sipas Bashkisë, punimet do të mbarojnë së shpejti dhe do të krijojnë një aks të qarkullimit të makinave për rreth sheshit “Skënderbej”. Kjo është zgjidhja emergjente për situatën e krijuar dhe bashkia është konsultuar me specialistët e fushës për kryerjen e këtyre punimeve. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli, shpjegon ndërhyrjen në sheshin “Skënderbej”. “Bashkia e Tiranës po punon me ritme të larta për rehabilitimin e sheshit ‘Skënderbej’. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës, që mbetet një burim i vazhdueshëm i stresit për qytetarët dhe i ndotjes së ambientit. Kjo përsa i përket ndërhyrjeve emergjente. Ndërkohë, specialistët e bashkisë, inxhinierët, po shqyrtojnë mundësi të tjera për ndërhyrje afatgjata, në mënyrë që sheshi ‘Skënderbej’ të ndihmojë në trafikun e Tiranës dhe në krijimin e lehtësive për qytetarët dhe të mos kthehet në një pengesë apo problem për qytetarët”, - tha Zeneli. I pyetur për të ardhmen, Zeneli tha se sheshi “Skënderbej” do të ketë hapësira për këmbësorët dhe gjelbërim. Mjetet e Bashkisë së Tiranës kanë nisur punën për asfaltimin e akseve që hyjnë në këtë shesh, në mënyrë që ai të jetë shumë shpejt në shërbim të komunitetit. Ndërkaq, përveç punimeve për hapjen e qarkullimit te sheshi ”Skënderbej”, Bashkia e Tiranës ka parashikuar ndërhyrje edhe te rrethrrotullimi i Doganës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›