Ushqimet, me etiketë të posaçme nga janari
Panariti: Etiketa që do të përmbajë çmimin, cilësinë dhe origjinën e produktit, do të jetë e detyrueshme për t’u vendosur nga çdo qendër që tregton ushqime
Çdo produkt ushqimor që do të tregtohet në tregjet e kryeqytetit, duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm do të ketë një etiketë të posaçme, ku do të tregohen çmimi, cilësia dhe vendi i origjinës. Deklarata për këtë nismë të re të Bashkisë së Tiranës është bërë dje nga numri i dy i saj, Edmond Panariti, gjatë inspektimit të tregjeve me shumicë të kryeqytetit, në mënyrë që edhe këto ditë të fundit, deri në natën e ndërrimit të viteve të mos abuzohet me çmimet. Nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti bëri të ditur se duke nisur nga viti i ardhshëm do të hartohet, një etiketë “tip” (format), e cila do të përmbajë krahas çmimit dhe artikullin ushqimor të cilit ky çmim i referohet, cilësinë dhe vendin e origjinës. “Konsumatori dëshiron të dijë edhe prejardhjen e produktit, pra është produkt vendi apo importi. Kjo i shërben pa dyshim jo vetëm transparencës ndaj konsumatorit, ndaj blerësit, por i shërben pa dyshim edhe gjurmueshmërisë së produktit. Nesër, pasnesër, çdo problem që ky produkt mund të ketë, në raport me konsumatorin, dihet edhe vendi i origjinës dhe kjo i shërben natyrisht edhe Inspektoratit për të monitoruar dhe gjurmuar burimin e problemit, nëse ai do të ekzistojë”, - tha Panariti.
Ai shpjegoi se i gjithë ky proces do të disiplinohet nga Bashkia e Tiranës duke nisur nga viti që vjen, duke i pajisur të gjitha tregjet me një etiketë ”tip”, që do të përcaktohet nga Bashkia dhe do të mbështetet me një rregullore, se çfarë do të përmbajë ky format, pra do të ketë çmimin, do të ketë artikullin dhe vendorigjinën e produktit të cilit ky çmim i referohet. Sipas tij, kjo etiketë do të jetë e detyrueshme për të gjitha qendrat që tregtojnë produkte ushqimore, duke filluar nga viti që vjen. Ndër të tjera ai garantoi se mbrojtja e konsumatorit nga abuzimi me çmimin e mallit nuk është vetëm një fushatë, por do të jete e mirorganizuar dhe e strukturuar. Lidhur me rritjen e çmimeve, Task-Forca nuk ka konstatuar as dje abuzim me mallrat e shportës ushqimore dhe atë të fruta-perimeve.