E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT siguron ilacin për 6-vjecarin me leucemi pas apelit në News24

TIRANË- Metatraksat është medikamenti që Drejtoria e QSUT-së ka arritur të sigurojë për fëmijën 6-vjecar që vuan nga leucemia akute, familja e të cilit një ditë më parë apeloi në News24 për ndihmë, pasi kishte rreth 3 muaj pa mjekimin e nevojshëm. Drejtori i QSUT-së, Sajmir Ivziku ka pohuar se prej ditës së sotme është gjendur ilaci për mjekimin e Emiljanos së vogël, duke shpjeguar vështirësitë për sigurimin e tij, pasi është një medikament i rrallë dhe nuk gjendet në tregun tonë.

“Nuk gjendet ilaci dhe aktualisht nuk është në gjendje. Për të zgjidhur këtë punë ne bëmë një paketë të një blerje emergjente, ku u përfshi edhe ky ilac dhe asnjë nga kompanitë farmaceutike që janë në Shqipëri nuk dhanë asnjë oferte për këtë ilac, gjë që na detyroi të vinim në lëvizje mekanizma të tjerë dhe sot është bërë i mundur sigurimin e këtij medikamenti. Fëmija që sot do fillojë marrjen e medikamentit, mjekimi i tij do vazhdojë me cdo kusht”,- tha drejtori i QSUT-së.

Një ditë më parë, babai i vogëlushët deklaroi për NEWS24. “Fëmija ka 3 muaj e gjysmë pa mjekim. Nga spitali më thonë që nuk ka ilace, kryeinfermierja më thotë ankohu ku të duash, nuk është përgjegjësia ime. Unë kërkoj që ministri, drejtori i spitalit, apo edhe kryeministri të më ndihmojnë...është gjynah për këtë fëmijë”,- deklaroi ai.

Rasti i Emilianos nuk është i vetmi në spitalet tona, por ishte një nga rastet ku qytetarët morën guximin publikisht për të kërkuar një shërbim të garantuar nga sistemi shëndetësotr, atë të sigurimit të ilaçeve nga ana e qendrave spitalore. Në këtë rast Drejtoria e QSUT-së pati një reagim pozitiv dhe të menjëhershëm, por le të shpresojmë që këtë reagim pozitiv ta ketë edhe me rastet të cilat nuk bëhen mediatike.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›