E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku Fier, Kolegji Zgjedhor fillon sot shqyrtimin

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë sot ankesën e PS-së për fshatin Ruzhdie

TIRANË- Kolegji Zgjedhor nis sot seancën e parë gjyqësore të ankimimeve të subjekteve zgjedhore, të cilat nuk kanë pranuar vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi rezultatet e dala nga procesi i numërimit të votave.


E para në radhë është kërkesa e Partisë Socialiste, me objekt shpalljen të pavlefshme të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për përfshirjen në tabelën përmbledhëse të rezultatit të qarkut Fier, votat e dala nga numërimi i kutisë me numër 3052.


Socialistët, ashtu si edhe në KQZ pretendojnë se numërimi i kësaj kutie është bërë në kundërshtim me ligjin zgjedhor, pasi ai nuk lejon që të numërohen ato vota të cilat nuk plotësojnë kriteret e vlerësimit, siç është edhe pasja e dy vulave nga prapa fletës.


Bëhet fjalë për kutinë e fshatit Ruzhdie, ku më 28 qershor, si pasojë e dhunës dhe kërcënimeve me armë të anëtarëve të djathtë të komisionit, komisionerët e majtë u larguan duke marrë me vete dhe vulën e sekretarit. Të gjendur para një realiteti, komisionerët e djathtë vazhduan votimin duke i vulosur fletët e votimit vetëm me vulën e kryetarit të komisionit.


Për pasojë KZAZ nuk pranoi që t'i numërojë këto fletë votimi, duke i konsideruar të pavlefshme. Por, në kundërshtim me këtë vendim KQZ-ja, pavarësisht kundërshtimit të socialistëve i përfshiu ato në tabelën përmbledhëse.


Nuk dihet cila do të jetë praktika që do të ndjekë Kolegji, pasi për këtë zonë ka dhe një sërë kërkesash të tjera nga subjektet e tjera politike, siç është PD-ja dhe PDI-ja.


Nuk përjashtohet mundësia që ajo t'i grupojë ato në një çështje të vetme dhe t'i shqyrtojë së bashku. Ndërkohë, nesër ky kolegj do të marrë në shqyrtim kërkesën tjetër të socialistëve, atë për qarkun e Beratit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›